1495 – Leonardo da Vinci fillon Darkën e Fundit – pikturë murale në sallën e ngrënies së manastirit Santa Maria, Milano – një nga pikturat më të famshme në botë, dhe një nga më të studiuarat, shqyrtuarat, dhe satirizuarat ndonjëherë. Piktura paraqet skenën e Darkës së Fundit të Jezusit me dishepujt e tij, ashtu siç është thënë në Ungjillin e Gjonit, 13:21. Piktura fikson pikërisht momentin kur Jezusi bën të ditur se një prej tyre do ta tradhtonte. Kritikët thonë se e veçanta e Darkës së Fundit është vetë Jezusi. Sipas një gojëdhëne, kur Da Vinci arriti tek tiparet e Jezusit, ai ishte pushtuar nga zemërimi dhe e kishte të pamundur të imagjinonte a të përqendrohej; iu desh të harronte shkakun e zemërimit (një lloj mënyre kërkim ndjese), që t’i kthehej qetësia, dhe arriti të krijojë figurën e Jezusit siç njihet sot. Lind pyetja: Ç’është ndjesa, nëse jo çlirim nga mendimet shqetësuese (harresë) – prej nga rrjedh edhe shprehja ‘Harroje!’, që e lejon njeriun të ecë.
1664 – Veziri i madh Fazil Ahmed Pashë Kypriljoti (Qupriliu) sulmon 120,000 ushtarë pranë Danubit, gjatë fushatës për zgjerimin e perandorisë osmane në Perëndim. Ai ishte anëtar i familjes së njohur Koprulu me prejardhje shqiptare, prej së cilës dolën 6 vezirë të mëdhenj (kryeministra) të Perandorisë Osmane. Fazil shërbeu si vezir i madh nga 1661-1676 pasi e trashëgoi titullin nga babai i tij, Mehmed Pashë Koprulu, themeluesi i familjes politike Koprulu. Ai u mbiquajt Fazil, që do të thotë “i ditur”, i njohur për dhe nxitjen e arsimit. Nga ana tjetër, thonë historianët, Fazil Qupriliu ishte brutal në luftë dhe udhëhoqi ushtrinë osmane në Luftën Austro – Turke (1663-1664).
1787 – SHBA, Sistemi konfederal nuk po jepte rezultat; pas 11 vjetësh, nga pavarësia vendi kishte mbetur i dobët ekonomikisht e ushtarakisht – Britania priste që një bashkim i tillë i ish-kolonive të saj të dështonte. Këtë ditë, delegatët u mblodhën në Filadelfia, Pensilvani, për të hartuar kushtetutën. Gjatë tre muajve të ardhshëm, ata shqyrtuan e debatuan mbi një seri kompromisesh. Në fund, Kongresit iu dhanë kompetenca të reja për të rregulluar ekonominë, monedhën, dhe mbrojtjen kombëtare, por dispozita për t’i dhënë qeverisë të drejtën e vetos mbi ligjet u refuzua. Me këmbënguljen e delegatëve nga shtetet jugore, Kongresit u mohuar fuqia për të kufizuar tregtinë e skllevërve, për 20 vjet. Sipas një plani (Kompromisi Konektikut ), përfaqësimi në Dhomën e Përfaqësuesve do të bazohej në numrin e popullsisë së një shteti, ndërsa çdo shtet, pavarësisht sa i vogël, do të jetë i garantuar për të patur dy senatorë në Senatin e ri. Deri në shtator, kompromiset përfundimtare u arritën, dhe erdhi koha për të votuar. Në Kuvend, çdo shtet – pa marrë parasysh numrin e delegatëve – kishte një votë dhe 39 nga 55 delegatët, mbështetën Kushtetutën e re. Pas një ceremonie nënshkrimi, më 17 shtator, shumica e delegatëve u mblodhën në një tavernë të qytetit, ku sipas George Washingtonit, “hëngrën së bashku dhe u ndanë përzemërsisht”.
1932 – Në Nju Jork zhvillohet parada me moton “Duam Birra!” – ishte periudha e ndalimit të pjeve alkoholike (1920 – 1933). Kritikët thonë se ky ndalimi çoi në pasoja të padëshiruara të tilla si shtimi i organizatave kriminale, duke përfshirë Mafian moderne amerikane.
1938 – Berlin, megjithëse nën tingujt e hymnit nazist, ekipi anglez i futbollit mundi ekipin gjerman me rezultatin 6 – 3. Në shtator 1939, rivaliteti anglo-gjerman kaloi nga fusha e futbollit në fushën e luftës, ku Gjermania gjithashtu humbi. Në dhjetor 1954. ndryshe nga viti 1938, ekipi gjerman shkoi në Londër si kampione e Botës, në një periudhë kur futbolli anglez ishte në rënie, dhe përsëri Gjermania humbi (jo aq thellë) 1 – 3, ndërsa tifozët britanikë këndonin “You’re Not Singing Anymore!”.