Nga çadra e protestës, në fjalimin e tij të radhës, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka ironizuar komisionerin e Zgjerimit të BE-së, Johannes Hahn.
Ky reagim i Bashës vjen menjëherë pas letrës së Hahn ku shprehte dëshpërimin për bojkotin e zgjedhjeve nga PD, por në një tjetër kohë, ai i shkruante shqiptarëve se zgjedhjet pa opozitën do të njihen, pasi rëndësi ka standardi i tyre.
Në kundërpërgjigje, Basha tha se vlerat e Evropës më mirë i njohin ata qytetarë që ndodhen në çadër sesa “ndonjë evropian”.
Fjala e plotë e Bashës:
E kërkuam rrugëdaljen nga kjo gjendje e rëndë, kudo, në përpjekjet me çdo faktor e goditur nga qeveria e inkriminuar e Ramës. Nuk e gjetëm dot sepse shpëtimi ishte dhe duhet të ishte në rrugën e bashkimit popullor që ju i dhatë fytyrë në 13 shkurt.
Në asnjë cep të Kontinentit Evropian nuk luftohet aktualisht kaq fuqishëm për vlerat e lirisë, prej 18 shkurtit e deri më sot. Evropa e vlerave është Evropa e zgjedhjeve të lira, pa zgjedhje të lira vetëm Evropë nuk do të ishte.
Evropa e vlerave është evropa e demokracisë së vërtetë, jo me zgjedhje moniste, por me zgjedhje të të pandikuara nga krimi dhe droga. Por çfarë t’ju them unë, ju i dini më mirë këto, madje më mirë edhe se ndonjë evropian.
Ndjejmë mbi supet tona peshën e sfidës dhe të përgjegjësisë, të ulim kokën para krimit dhe drogës e të pranojmë fatin tonë jo si njerëz të lirë, apo të çohemi e të bashkohemi të gjithë këtu në 13 maj, ditën e shtunë, në një protestë që nuk është vetëm protestë, në një manifestim që nuk është vetëm manifestim.
Por një bashkim që do të hyjë në histori si referendumi për republikën e re.
Kësaj i trembet republika e vjetër, krimi dhe droga. Nuk ka forcë t’i bëjë ballë dëshirës së qytetarëve për liri. Ju e keni bekuar betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme me prezencën tuaj.
Kukumjaçkat e republikës së vjetër nuk na trembin dhe nuk na ndalin dot nga kauza europiane e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Miqtë tanë anë e mbanë botës e dinë dhe duhet ta dinë shumë mirë se rruga europiane e Shqipërisë nuk mund dhe nuk do kalojë nga bojkoti, nga mospjesëmarrja, por e dinë se nuk mund të kalojë nga një garë jo e drejtë.
Nuk mundet dhe nuk do kalojë nga votime farsë të diktuara nga kimi dhe droga.
E ardhmja e Shqipërisë do kalojë nga autostrada referendare e 13 majit që do ti hapë rrugë të vetmeve zgjedhjeve që do të bëhen në Shqipëri, të lira dhe të ndershme.
Bashkë do të shembim çdo pengesë, bashkë do të nxjerrim në pension republikën e vjetër. Do jem edhe unë me familjen dhe fëmijët.
Ejani pa frikë ky do të jetë manifestimi më gjigant, askush të mos mungojë në këtë moment historik në 13 maj ditën e shtunë këtu në këtë shesh.
Forca jonë ka qenë kauza e drejtë. Forca jonë ka qenë interesi qytetar. Kjo jo vetëm nuk na ka lodhur po na ka bërë më të fortë.