Kur flitet për nazizmin, gjërat e para që të vijnë në mendje janë natyrisht kampet e përqendrimit, shfarosja e hebrenjve, ciganëve, sllavëve dhe njerëzve me aftësi të kufizuara, si dhe aspekte të tjera të tmerrshme të asaj periudhe të errët të historisë.
Por, ekzistojnë ndërkohë edhe aspekte më pak të njohura të regjimit, dhe me sa duket më pak të dhunshme, që konfirmojnë se sa i thellë qe terri i atyre viteve. “Lebensborn” do të thotë “Burimi i jetës”, një term që të bën të mendosh për diçka pozitive.
Në fakt, gjatë viteve të nazizmit, programi “Lebensborn” kishte për qëllim të nxiste lindjen e fëmijëve, madje edhe nga gratë e pamartuara, me kusht që ato të ishin “të racës së pastër” ariane, duke garantuar anonimitetin për nënat, një mjedis të mbrojtur dhe të rehatshëm gjatë shtatzënisë, si dhe nivelin më të lartë të ndihmës gjatë lindjes.
Pastaj organizata vendoste nëse do të lejonte nënën ta mbante fëmijën, apo do ta jepte për adoptim. Programi u zgjerua edhe në vendet e pushtuara nga nazistët, si Norvegjia, Franca dhe Belgjika, ku fëmijët e lindur nga një nënë “lebensborn” pësuan në fundin e luftës, shumë mizori dhe abuzime. Vlerësohet se rreth 8.000 fëmijë janë lindur në Gjermani në institucionet e “lebensborn”, madje edhe 12.000 në Norvegji, dhe të tjerë të panumërt në vendet e pushtuara, ku megjithatë nuk ekzistonte ndonjë garanci për pastërtinë e racës.
Për shembull, norvegjezet, konsideroheshin edhe më të përshtatshëm se sa gjermano-jugoret, për shkak të karakterit të tyre më shumë “ariane”, aq sa Heinrich Himmler-i, shefi i SS-ve dhe krijuesi i Lebensborn-it, ngriti në Norvegji shumë institucione kushtuar projektit të tij eugjenik.
U rekrutuan shumë gra të reja, të cilat mund të provonin prejardhjen e tyre ariane, për të ngjizur një fëmijë me oficerët SS. Atyre u garantohej mbështetje financiare, dhe një trajtim preferencial në shtëpitë e lindjes.
Për shumë gra norvegjeze, kjo u shndërrua në një mënyrë mbijetese gjatë luftës, me besimin për të lënë apo dhuruar fëmijën e tyre tek“shtëpitë lebensborn”, ku fëmija do të merrte përveç një diete të shëndetshme, edhe indoktrinimin në fenë naziste.
“Pagëzimi” nazist
Shkatërrimi i pjesës më të madhe të materialeve mbi projektin “Lebensborn”, nuk na lejon të mësojmë nëse vajzat e reja të vendeve të pushtuara, u detyruan apo jo të çiftohen me oficerët gjermanë, edhe pse është e lehtë të supozohet diçka e tillë, pasi dhuna seksuale ishte gjerësisht e përhapur në Rajhun e Tretë.
Në vitin 1939, rreth 8.000 oficerë SS iu bashkuan programit të Himmler-it, duke u ofruar të ndihmojnë, falës lëngut të tyre seminal, në forcimin e racës ariane. Në vitin 1939, Himmler-i vendosi të mos ndalet shumë tek kontrollet mbi prejardhjen e fëmijëve, dhe praktikoi si pjesë të programit edhe rrëmbimet.
Në vende të tilla, si Polonia dhe Jugosllavia, por edhe Rusia, Çekosllovakia, Rumania (dhe shumë vende të tjera), ata rrëmbyen mijëra fëmijë me pamje ariane, në mënyrë që t’i“gjermanizonin”, dhe pastaj pas një periudhe riedukimi, t’ia jepnin në formë adoptimi familjeve gjermane; ata që vlerësoheshin se nuk bartnin tiparet ariane, u dërguan në kampet e përqendrimit.
Fëmijët me flokët e errët, iu nënshtruan trajtimeve mjekësore për “bjondizimin” e tyre.
I gjithë dokumentacioni në lidhje me këto rrëmbime, u shkatërrua në fazat e fundit të luftës, në atë shkallë sa që ishte e pamundur t’i identifikoje këta fëmijë, shumica e të cilëve nuk iu rikthyen asnjëherë prindërve të vërtetë.
Edhe pse programi “Lebensborn” mund të duket si një faqe jo shumë mizore nazizmit, për shkak të aspekteve pozitive të kujdesit mbi fëmijët dhe nënat, në fakt ai duhet të konsiderohet si pjesë e projektit të spastrimit etnik në një shkallë të madhe dhe që prodhoi aq shumë mizori.
Në mesin e të mbijetuarve të famshëm të projektit “Lebensborn” është edhe Fryda Lyngstad e grupit të mirënjohur muzikor ABBA. Pas luftës, fëmijët e lindur gjatë këtij projekti u keqtrajtuan dhe torturuan kudo. Në mënyrë të veçantë, në Norvegji, ku lindën rreth 14.000 fëmijë, CIA i cilësoi të vegjlit si “gjenetikisht të rrezikshëm” dhe “në gjendje për të riorganizuar fashizmin në Norvegji”.
Në vitin 2007, 154 fëmijë të Lebensborn-it norvegjez, e dërguan rastin e tyre në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, ku kërkuan dëmshpërblim për dhunën dhe racizmit që kishin vuajtur. Por, kërkesa e tyre nuk u dëgjua, për shkak se “ishin paraqitur shumë vonë”.