Aktorja shqiptare, Suela Bako, ka fituar çmimin e aktores më të mirë në “Nashville Film Festival”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Me rolin e Shpresës në filmin e zhanrit horror “Bloodlands”, ajo ka arritur të bindë jurinë e të vlerësohet me këtë çmim, tejet i rëndësishëm për aktoren duke marrë në konsideratë filmat e tjerë konkurrentë që kanë qenë në garë në këtë edicion.
“Bloodlands” shpalos historinë e një gruaje të thjeshtë që dhunohet, mbetet shtatzënë dhe stigmatizohet nga banorët e lagjes së saj, të cilët e dëbojnë në mal, duke e quajtur shtrigë.
Filmi i regjisorit greko-australian Steven Kastrissios, pritet të shfaqet për publikun shqiptar në muajin qershor.