Ministri i Mbrojtjes i Izraelit i quajti udhëheqësit e vendit komunist si “një grup të çmendurish dhe radikalë”.
Koreja e Veriut i është kundërpërgjigjur duke e akuzuar Izraelin si “posedues armësh bërthamore të paligjshëm” dhe se është kërcënim për paqen në Lindjen e Mesme. Pheniani e akuzon Izraelin për “krime kundër njerëzimit” dhe një pushtues që kërkon të dominojë rajonin dhe të shtypë palestinezët.
Avigdor Lieberman deklaroi se udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un është një “i çmendur” i ngarkuar me një “grup të çmendur dhe radikal”, i cili po “minon stabilitetin global”. Gjithashtu, shtoi se Pheniani ka kaluar vijën e kuqe me testet e fundit bërthamore.
Pheniani iu përgjigj duke i premtuar një “dënim për këdo që guxon të dëmtojë dinjitetin e udhëheqësit suprem”, duke i konsideruar deklaratat e Liebermanit si pjesë e fushatës së Izraelit për të mbuluar krimet e veta.
Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut tha se ndryshe nga Izraeli që është pengesë e paqes në rajonin e vet, vendi i tyre ka të drejtë të parandalojë “agresionin amerikan”.
Nga ana tjetër, Izraeli kurrë nuk e ka konfirmuar publikisht dhe as nuk e ka mohuar se posedon armë bërthamore, ndërsa besohet me bindje të plotë se zotëron dhjetëra raketa.