Pas zgjedhjes së Ilir Metës president, ish-deputeti socialist Koço Kokëdhima ka zbuluar një nga sekretet e marveshjes PS-LSI.
Nëpërmjet një statusi në facebook, Kokëdhima i ka shprehur urimet e tij Presidentit të ri, si dhe ka ngritur disa pikëpyetje për krizën aktuale të vendit.
Postimi i Kokëdhimës:
Urim për Presidentin Meta!
Sot Ilir Meta u zgjodh President i vendit.
Kjo ishte parashikuar në marrëveshjen PS-LSI të katër viteve më parë. Unë i uroj suksese zotit Meta në këtë detyrë të lartë dhe në sfidën e tij për të qenë një figurë dhe simbol i bashkimit kombëtar. Ilir Meta dhe LSI janë aq të lidhura me njëra-tjetrën. Opinioni publik pret të mësojë se çfarë roli do të luajë zoti Meta dhe LSI tani për tejkalimin e krizës politike. A do mundet Presidenti i ri të ndihmojë që populli ynë të shkojë i bashkuar në zgjedhjet e sivjetshme?
Nëse shqiptarët do të përçahen në zgjedhje, Meta do të ketë një presidencë të vështirë. Unë uroj që zgjedhja e tij t’i shërbejë ç’tensionimit të situatës dhe bashkimit të popullit në zgjedhjet e përgjithshme.