Publikimi i dokumentit të dëshmisë së Fatos Lubonjës në gjyqin e të atit, ka shkaktuar një sërë polemikash mes Henri Çilit dhe vetë Lubonjës.
Jo vetëm kaq, por Lubonja ka përfshirë në debat edhe shkrimtarin Ismail Kadare, teksa iu përgjigj dy shkrimeve të publikuara në gazetën “Mapo”.
Lubonja e quajti Çilin, një “sinonim të njeriut të pamoralshëm që e krijoi ky tranzicion dhe që i duhet Kadareja për të mbajtur universitetin”, ndërsa për Kadarenë ai tha se “po krijon një Kadare falco”.
Në vijim të publikimit të këtij reagimi, Çili tha se Lubonja po bën një luftë të fëlliqur kundër Kadaresë, që ky i fundit të mos marrë Nobelin, ndërsa shtoi se nuk ka manipuluar, por thjesht po inveton për të vërtetën.
“Ka një luftë të fëlliqur kundër Kadaresë, një grup i tërë që është angazhuar që në vitet 1990 dhe i ka çuar letra jurisë, që ai mos të marrë Nobelin”, tha Çili në një televizion.
Sigurisht, një reagim ka pasur edhe nga vetë Kadare, i cili shkruante pak ditë më parë se Lubonja vetë e kishte pranuar në gjyqin ndaj të atit, se Todi Lubonja ishte influencuar prej Kadaresë për t’u bërë armik i regjimit:
“Askush nuk mund të hiqet si naiv e të mos pranojë se jemi përpara një denoncimi të mirëfilltë politik, aq më tepër që ngjarja po ndodh në sfondin e zbulimit të “një grupi armiqësor në kulturë”.
Ajo që më është dukur më shqetësuese në këtë histori, është një farë tolerance ndaj denoncimit dhe denoncuesve, që vihet re kohët e fundit, në raste si ky. S’kam qenë dhe s’jam aq i painformuar sa të kem besuar se mund të rrezikohesha nga “denoncime” kaq të thjeshta si ky, në krahasim me llahtarët që më kanë parë sytë, siç ka qenë dosja Ziçishti e vitit e 1982, e njohur dhe e botuar tashmë, ku akuzohesha si komplotist kundër shtetit.
Nga ana tjetër, e kam ditur dhe përfytyruar ferrin e hetuesisë komuniste, dhe të dyja këto kushtëzime do të kishin mjaftuar plotësisht për të mos ia kujtuar kurrë Lubonjës incidentin e dikurshëm. Ndërkaq më duhet të pohoj se ka diçka në këtë histori që as e harroj dhe as nuk e fal: qëndrimin e Lubonjës pas rënies së komunizmit. Në vend të një vrasje sado të thjeshtë ndërgjegjeje, siç ndodh në raste të tilla, ky njeri tregoi një dashakeqësi të papërfytyrueshme, shoqëruar me akuza makabre ndaj meje si shovinist shqiptaromadh, racist anti-serb (gjuha serbe- një jevgë përballë zonjës së rëndë shqipe) e të tjera si këto. Duke mos u mjaftuar me hapësirën shqiptare e duke abuzuar me statusin e tij si ish i burgosur politik, ai u përpoq t’i shpërndante këto shpifje në shtypin botëror, për ta dëmtuar sa më fort shkrimtarin në sytë e gjithë botës”, u përgjigj Kadare pak ditë më parë.
Ky debat vijoi me kundërpëgjigjen e analistit, i cili e hodhi poshtë këtë version, duke pretenduar se Kadare ka transformuar gjithçka dhe kërkon të paraqesë një njeri tjetër nga ai që ka qenë në ato vite.
Por, duket se në këtë debat është përfshirë edhe Mustafa Nano.
Ky i fundit ka folur në emisionin “Zululand” lidhur me këtë debat, teksa i doli kundër analistit Lubonja.
“Lidhur me kritikat e Fatos Lubonjës mbi Kadarenë, tash e tutje një kritikë nuk duhet t’ia lejojë më vetes, atë mbi kulturën e simulim-manipulimit. E duhet të skuqet që e ka bërë deri më sot, në rrethanat që paska qenë vetë pjesë e kësaj kulture”, tha Nano ndër të tjera.
Një pjesë e fjalës së Nanos në emision:
“Është publikuar dosja e hetimit të Fatos Lubonjës, një hetim që është bërë në vitet 70’ ku është bërë një gjyq, pas të cilit Fatos Lubonja ka bërë 17 vite burg. Dashnor Kaloçi ka publikuar dosjen e hetimit të tij.
Janë një befasi disa pjesë të kësaj dosjeje, sepse nga ajo dosje del se Lubonja ka disa “skeletë” në dollap.
Nuk e kisha menduar se Fatos Lubonja mund të kishte skeletë të tillë në dollap, pasi ishte vetë Lubonja që i ka bërë të gjithë të besonin se ai nuk kishte një “skelet” të tillë; i ka bërë njerëzit ta besonin këtë gjë nëpërmjet luftës që ai u ka bërë të gjithë atyre që, sipas tij, kanë patur skelete të tilla, dhe i kanë fshehur.
Për çfarë është fjala? Unë kam veçuar disa fraza nga deponimi i tij. Janë frazat që mua më kanë kapur në befasi. Ja:
“Më ka thënë babai se Lenini ka shkruar një letër para vdekjes, ku ka lënë porosi që Stalini të mos zgjidhet se është diktator; me këtë, babai bënte aluzion për shokun Enver e për Stalinin;… babai më ka thënë se Enver Hoxha është diktator;… babai në letër më shkruante gjëra armiqësore pikërisht për shokun Enver, dhe thoshte se e ka humbur ekuilibrin e trurit e të mendjes;… unë i kam folur Besnik Sinanit për librat e Hitlerit që kam lexuar.”
Pas publikimit të dosjes, edhe vetë Lubonja e ka kuètuar që i kanë nxjerrë skeletet nga dollapi, dhe kjo duket nga përgjigja që ka dhënë në një intervistë televizive:
Lubonja ka thënë: “Problemi nuk kemi qenë ne që u përdhunuam, por ata që na përdhunuan, që na futën në burg; është njësoj si t’u thuash njerëzve që u përdhunuan: ore, pse hape këmbët ti?”
Duhet thënë se Lubonja ka të drejtë në këtë reagim që bën, është një fakt shumë i padrejtë që hetuesitm e komunizmit të vënë sot në bankën e të akuzuarve të dënuarit e tyre. Hetuesi Qemal Lame është shumë guximtar që merr përsipër ta luajë këtë rol në këto momente.
Nga ana tjetër mund të jetë e kollajtë për të gjithë ne të tjerët që, sot në vitin 2017, nga konforti që na jep liria, të thonim: “Uau, e paska bërë Lubonja këtë?
Paska folur kundër babait të tij në mënyrë që mund të shfaqësojë veten?” Do të ishte e padrejtë që, njerëz të tillë si Lubonja të paditeshin, të akuzoheshin, të kryqëzoheshin për faktin se kanë thënë gjëra të tilla në rrethana që ne i njohim mirë se cilat kanë qënë.
Unë kam patur vazhdimisht tezën që regjimi komunist i Enver Hoxhës ishte i çmendur. Të thuash që ishte diktaturë, ti nuk ke thënë asgjë. Ai ishte një regjim absurd dhe i vendoste njerëzit gjithnjë në situatat nga më absurdet. Unë mendoj se integriteti dhe forca morale e dikujt në atë regjim nuk mund të matej me forcën për t’i rezistuar të gjitha sulmeve që regjimi mund t’i bënte dikujt.
Personalisht, nëse do të ndodhesha në rrethanat e Lubonjës, nuk e di si do të sillesha. Unë mund të tregoja dobësi më të mëdha se sa Lubonja, mund që edhe të tregohesha i fortë, nuk e di. Por jam i prirur të besoj se do tregohesha më i dobët se Lubonja. Kështu besoj se do bënin shumica e njerëzve të kësaj bote. Ai ishte një regjim i lig, i poshtër. Kështu që problemi i Lubonjës nuk është ky.
Problemi i Lubonjës është tjetër. Ai i ka sulmuar me të gjitha mënyrat të gjithë ata që, sipas tij, kanë patur skelete në dollap dhe i kanë fshehur, në një kohë që ai vetë paska pasur alamet skeleti në dollap. Kjo është gjëja më e padrejtë që Lubonja ka bërë gjithë këto vite. Ka sulmuar të tjerët për një mëkat që e ka bërë edhe vetë.
Çfarë do duhej të bënte Lubonja në këto rrethana?
Lubonja këtë ngjarje të jetës së vet mund ta kishte bërë publike me kohë. Jo për të diskredituar veten, por, sepse ky është nga ato momente që të ndihmojnë për të folur për kontekstin historik e për regjimin. Një ngjarje personale e tillë është shumë e përshtatshme dhe të jep mundësinë të arrish në përfundime që i vlejnë të gjithë shoqërisë.
Lubonja ka patur rast ta bëjë këtë, pasi ai ka shkruar edhe një libër për dënimin e tij, në të cilin këtë moment e ka fshehur. Ai, në vend që të gjente forcën për ta bërë këtë, ka bërë të kundërtën, ka bërë një betejë hipokrite kundër kulturës së manipulimit e trukimit që të tjerët i kanë bërë jetës së vet.
Siç duket, është një konflikt e betejë e tij e brendshme e transferuar në jetën publike. Ndodh shpesh kjo gjë me njerëzit.
Ka edhe një trukim tjetër që Lubonja i ka bërë jetës së vet. Lubonja ka pretenduar se është futur në burg si Fatos. Mirëpo nuk është hiç e vërtetë që është futur në burg si Fatos.
Ai është futur në burg si Lubonjë, është futur në burg si biri i babait. Nuk dyshoj se ai e ka urryer komunizmin, por puna është se nuk është futur në burg për këtë gjë. Sikur i ati të mos futej në burg, ai nuk do ishte në burg, gjithashtu. Shkurt, Fatosi nuk ka qenë asnjëherë në burg. Lubonja ka qenë.
Lidhur me kritikat e Fatos Lubonjës mbi Kadarenë, tash e tutje një kritikë nuk duhet t’ia lejojë më vetes, atë mbi kulturën e simulim-manipulimit. E duhet të skuqet që e ka bërë deri më sot në rrethanat që paska qenë vetë pjesë e kësaj kulture.
Kritikat e llojeve të tjera mund t’ia bëjë Kadaresë, piktorit Edi Rama dhe gjithë piktorëve dhe artistëve të tjerë, veçse jo mbi bazën e vizionit që ai ka për artistët në botë. Përpara disa ditësh ai bëri një shkrim ku midis të tjerash ishte edhe një frazë e tillë: “Artisti i vërtetë ka nevojë edhe për aftësinë për të dëgjuar kritika, edhe për një humanizëm që e tejkalon shumëherë dashurinë vetëm për vetveten”. Sikur të mos e dija se këtë gjë e ka shkruar Lubonja, do të mendoja se është ndonjë frazë e Andrej Zhdanovit, apo e Stalinit, apo e Mao ce Dunit, apo e Enver Hoxhës. Mirëpo, jo, ky vizion banal mbi artistin është i Fatos Lubonjës.”