Në vitin 1886, në moshën 26-vjeçare, Anton Čechov i shkroi vëllait të tij Nikolait 28-vjeç, i cili në një letër të mëparshme i qe ankuar shumë se nuk kuptohej nga ata që kishte përreth. Anton Čechov, në vend që ta ngushëllonte, i kërkon atij të ndryshojë stilin e jetesës, në mënyrë që të përputhej me ato që ai i konsideronte si vetitë që duhet të gëzojë një person i edukuar. Dhe në këtë drejtim liston tetë cilësitë e njerëzve të arsimuar.
“Shpesh më je ankuar se njerëzit “nuk të kuptojnë”! Goethe dhe Newton-i nuk janë ankuar kurrë në lidhje me këtë… Vetëm Krishti është ankuar, por ai fliste për doktrinën e tij dhe jo për veten e vet… Njerëzit të kuptojnë në mënyrë të përkryer. Dhe, nëse ti nuk e kupton veten, ky nuk është faji i tyre.
Unë të siguroj, si vëlla dhe mik, se të kuptoj dhe më vjen keq për ty me gjithë zemër. I njoh cilësitë e tua të mira si pesë gishtërinjtë e mi; i vlerësoj dhe respektoj ato thellësisht. Nëse dëshiron, për të provuar se të kuptoj, unë mund të të numëroj cilësitë që ke. Mendoj se je një njeri shpirtmadh, bujar, i gatshëm të ndash me të tjerët qindarkën tënde të fundit; nuk ndjen zili apo urrejtje; ke një zemër të thjeshtë; mirëbesim pa dyshime apo mashtrime nga pas dhe nuk kujton të keqen…
Ti ke një dhunti që të tjerët nuk e kanë: talentin. Ky talent të vendos mbi miliona njerëz: në botë vetëm një në dy milionë njerëz është artist. Talenti yt të dallon nga të tjerët: nëse do të ishe një bretkosë, edhe atëherë njerëzit do të respektonin, pasi për hir të talentit falen të gjitha gjërat. Ty të mungon vetëm diçka: falsiteti i qasjes tënde dhe, palumturia jote shkaktohet nga e gjitha kjo. Është mungesa jote totale e kulturës, më fal, por siç thonë latinët “veritas magia amicitiae” (E vërteta shkatërron miqësinë)…
Shiko, jeta ka kushtet e veta. Për t’u ndjerë rehat në mesin e njerëzve të edukuar, për t’u ndjerë si në shtëpi dhe të jesh i lumtur me ta, duhet të jesh i edukuar në një masë të caktuar. Talenti të ka sjellë në një nivel të caktuar dijesh, ti je pjesë e tyre, por… je i distancuar dhe luhatesh midis njerëzve të eduktuar. Unë mendoj se personat e edukuar duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:
- Respektojnë personalitetin e njeriut dhe për këtë arsye të jenë gjithmonë të sjellshëm, bujarë e të gatshëm për t’u dhënë të tjerëve. Nuk e bëjnë të madhe humbjen apo shkatërrimin e ndonjë objekti material; nëse jetojnë me dikë, nuk e konsiderojnë një nder dhe kur largohen nuk thonë: “Askush s’mundet të jetojë me ty”. Tolerojnë zhurmën, shakatë dhe praninë e të huajve në shtëpinë e tyre.
- Kanë simpati jo vetëm për lypësit dhe macet. Zemra e tyre vuan për atë që syri nuk e sheh… Punojnë deri në orët e vona të mbrëmjes për të ndihmuar pagesën e tarifës së universitetit për vëllezërit, dhe për t’i blerë rroba nënës së tyre.
- Respektojnë pronën e të tjerëve dhe për këtë arsye i paguajnë borxhet e tyre.
- Janë të sinqertë, dhe kanë frikë, ashtu si ndaj zjarrit, të gënjejnë. Nuk gënjejnë as edhe për gjërat e vogla. Një gënjeshtër është fyerje për atë që e dëgjon dhe e vendos në një pozitë inferiore në sytë e atij që po flet. Sillen në rrugë, ashtu si në shtëpinë e tyre, nuk mburren para miqve të tyre modestë. Nuk janë të prirur të drejtojnë tek të tjerët, konfidencat e tyre të pakërkuara. Në shenjë respekti për veshët e të tjerëve, qëndrojnë më shpesh të heshtur, në vend se të flasin vazhdimisht.
- Nuk denigrojnë vetveten për të ngjallur dhembshuri tek të tjerët. Përpiqen të prekin zemrën e të tjerëve, si për t’i bërë ata të psherëtijnë dhe iu japin atë çka kërkojnë. Ata nuk thonë: “U keqkuptova” apo “Jam bërë një person i kategorisë së dytë”, pasi çdo gjë që përpiqet të marrë një pasojë pa shumë mundim është vulgare, e ndenjur, e rreme…
- Nuk shfaqin asnjë lloj vaniteti sipërfaqësor. Atyre nuk ua ndjen për diamantë të tillë të rremë, siç është të njohurit e njerëzve të famshëm. Nëse arrijnë të bëjnë disa para, nuk fryhen sikur të kishin fituar miliona, dhe nuk mburren se janë në gjendje të hyjnë në vende ku të tjerët nuk lejohen… Njeriu vërtet i talentuar qëndron gjithmonë në errësirë mes turmës, sa më larg që të jetë e mundur nga reklamimi… Edhe Krylov ka thënë se një fuçi bosh, bën më shumë zhurmë se një fuçi e mbushur.
- Nëse kanë talent, e respektojnë atë. Për të, sakrifikojnë çdo gjë tjetër: gratë, verën, vanitetin… Janë krenarë për talentin e tyre… Për më tepër janë kërkues.
- Zhvillojnë një ndjenjë estetike ndaj vetes. Ata s’mund të shkojnë për të fjetur, të veshur me rrobat e tyre të ditës, të shohin të çarat e mureve plot me insekte, qëndrojnë në ambient me ajër të ndenjur, të ecin mbi një dysheme, në të cilën dikush ka përshtyrë, të gatuajnë ushqime në një mjedis të papastër. Ata përpiqen sa më shumë të jetë e mundur të frenojnë dhe fisnikërojnë, instinktin seksual… Tek një grua nuk shohin domosdoshmërisht një femër për të ndarë shtratin… nuk janë në kërkim të një inteligjence, e cila e dëshmon veten si një mashtrim i vazhdueshëm. Nëse janë artistë, duan freskinë, elegancën, humanizmin… Nuk dënden me vodkë ditën dhe natën… Ata duan ‘mens sana in corpore sano’ (një mendje të shëndoshë në një trup të shëndoshë).
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce