George Friedman/ “Geopolitical Futures”
Referendumi i së dielës në Turqi, kishte të bënte me rritjen e kompetencave të presidentit. Por, në një nivel më të thellë, ai ka lidhje me marrëdhëniet ndërmjet segmenteve laike dhe fetare të shoqërisë. Kur Mustafa Kemal Atatürk themeloi Turqinë moderne, busulla e tij ishte kultura evropiane. Kjo nënkuptonte se Turqia kishte nevojë për një rend politik laik.
Por, krijimi i një rendi të tillë, në një vend me shumicë muslimane, nuk qe një punë e lehtë. Ai e zgjidhi këtë ngërç, duke e bërë ushtrinë gardiane kushtetuese të shtetit laik, dhe e mbrojti këtë të fundit kundër pushtetit fetar. Pothuajse një shekull pas themelimit të Turqisë, formula Qemaliste është bërë e papërshtatshme.
Feja në botën islame e ka rinkonfirmuar veten në një numër rrjedhash divergjente. Kjo në mënyrë të pashmangshme ka energjizuar masat myslimane në Turqi. Kultura laike evropiane, që e ka dominuar vendin, po përballet me rivendikimet gjithnjë e më të fuqishme fetare. Çështja themelore politike dhe sociale, është se si të krijohet një politike unike, e ndërtuar rreth dy kulturave divergjente.
Asnjëra nuk mund të shpërfillet. Turqia është një vend mysliman i modernizuar me shekullarizmin. Nëse shkatërroni këtë të fundit, rrënoni edhe arritjet që Turqia ka shënuar deri më tani. Nëse sulmoni muslimanët, nxisni një fe, që duke qenë në ringritje, s’mund të dorëzohet. Turqia është shndërruar në një republikë të përbuzjes reciproke dhe mosbesimit. Kushdo që e qeveris atë, do të jetë duke shaluar një tigër. Nëse ai rrëzohet, Turqia do të shpërbëhet. Nëse qëndron mbi tigër – njëkohësisht laik dhe musliman- do të duhet të kenë frikë nga kalorësi.
Mënyra shekullariste e akomodimit të fesë, është krijimi i një dallimi radikal mes publikes dhe privates. Feja lipset të jetë pjesë e jetës private, ndërsa sfera publike duhet të qëndrojë neutrale mbi çështjet fetare. Thënë ndryshe, jeta publike do të jetë laike dhe njerëzit do të jenë të lirë të zgjedhin se si duan ta jetojnë jetën e tyre private.
Problemi është se shekullarizmi nuk është neutral. Ai është vizioni i një botë të drejtë. Është ndërtuar mbi supozimin e jashtëzakonshëm, se një dallim radikal mes jetës publike dhe private, është i mundur. Nëse besoni se universi ka një qëllim hyjnor dhe se jeta juaj është pjesë e këtij qëllimi, si mund ta kufizoni që besimi duhet të përfshihet vetëm në pjesën e jetës private? Si mundet një kulturë, të ndalojë besimet e saj të lashta fetare nga jeta publike, por të mbetet unike?
Shekullarizmi pohon se është neutral, pasi nuk përfshin asnjë nga fetë tradicionale. Por, problemi është se ai, ndonëse nuk është një fe tradicionale, ruan gjithsesi pretendimet morale dhe, bashkë me to, një besim në natyrën e njerëzimit dhe qëllimit të tij. Dhe e bën këtë duke pohuar qendërsinë e individit, dhe të drejtën e tij për të bërë zgjedhje.
Asnjë nga ne nuk e zhvillon apo e jeton jetën si individ, i ndarë nga ndikimet sociale. Laicizmi distancohet nga besimi fetar, kur pohon se një shoqëri mund të ndërtohet rreth individit – ai ka lindur në një familje, në një vend me një të kaluar, një gjuhë dhe kulturë, por pritet të jetë autonom. Edhe ideja e autonomisë njerëzore, është një pretendim moral. Me fjalë të tjera, shekullarizmi nuk është neutral, por një konkurrent i feve të tjera, duke përjashtuar çdo Perëndi, përveç individit.
Në fillim, laikët e shohin ringritjen dhe vetëbesimin e fesë, thjesht si rritjen e diçkaje të papastër. Pastaj, si një armik të lirisë. Në dështimin për të kuptuar se pretendimi shekullarist për superioritet moral, duhet të arsyetohet dhe jo të pohohet si i vetëkuptueshëm, laikët e gjejnë veten në pozita mbrojtje. Me supozimin se privatizimi i fesë është në vetvete një zgjidhje e qëndrueshme, ata minojnë themelet e shekullarizmit. Ndryshe nga Thomas Jefferson apo Giuseppe Garibaldi, shekullaristët modernë janë politikanë të këqij. Ata nuk e dinë se kur duhet të arrijnë një marrëveshje.
Laicizmi ka arritur gjëra të jashtëzakonshme. Shërbëtorja e tij është shkenca dhe, kjo e fundit, ka dhënë frytet e veta. Ajo ka dyfishuar jetëgjatësinë në vendet e zhvilluara, brenda një shekulli. Ka bërë të mundur udhëtimin ndërmjet kontinenteve brenda një nate. Ka krijuar modele jetese të papara më herët. Fetë nuk mund të arrijnë gjëra të tilla, pasi ato nuk i shohin si diçka thelbësore. Fetë nuk kërkojnë kuptimin e botës, pasi besojnë se kjo tashmë është shpallur.
Por, laicizmi ka shkaktuar edhe tmerre. Ai i ka dhënë hov ideologjive – vizioneve mbi atë që duhet të jetë njerëzimi. Këto nuk janë shprehur vetëm përmes shkrimeve, por janë vënë edhe në zbatim. Fashizmi, komunizmi dhe demokracia liberale, qenë të gjitha pjella të shekullarizmit. Regjimet që frymëzuan disa prej këtyre ideologjive, në shekullin e XX-të, i bëjnë aftësitë e Al-Kaidës, në mos qëllimet e saj, të zbehta për nga krahasimi.
Një vizion laik i njerëzimit – së bashku me fuqinë e teknologjisë, që shekullarizmi kishte çliruar – krijuan një regjim global të terrorit.
Demokracia liberale mposhti ideologjitë e tjera. Unë mendoj se fitoi më i moralshmi, por kjo përgatiti terrenin për një sfidë tjetër. Pretendimet e besimeve tona atërore mbeten. Është pak a shumë si marrëdhënia e Judaizmit, Krishterimit dhe Islamit nga njëra anë, dhe paganizmit, që ata shtypën, nga ana tjetër. Ai paganizëm nuk rreshti ndonjëherë së përndjekuri dhe në disa mënyra të kufizuara. Shekullarizmi është mishërimi modern i paganizmit.
Turqia nuk është rajoni i vetëm që duhet të përballet me luftën, ndërmjet rregullave të laicizmit dhe pretendimeve të fesë. Evropa dhe Shtetet e Bashkuara janë duke u përballur, gjithashtu, me këtë problem. Në të njëjtën kohë që besimet fetare rritin këmbënguljen e tyre, shekullaristët bëhen më agresive. Ata duket se besojnë që si hebre, unë jam thellësisht i lënduar nga skena e lindjes së Krishtit në sheshin e qytetit, ose nga dikush që thotë Gëzuar Krishtlindjet, apo Muajin e Ramazanit.
Sa më radikal që bëhet shekullarizmi, aq më të fortë do të bëhen edhe kritikët e tij. Besimet fetare të mbajtura thellësisht të shtypura, janë për mua shumë më të rrezikshme se sa shteti, i cili pranon atë që të gjithë e dimë, çka do të thotë se Shtetet e Bashkuara i kanë rrënjët e krishtera, por tanimë janë një komb i shumë besimeve.
Kjo luftë është veçanërisht e dukshme në Turqi. Aty është vendi ku Krishtërimi dhe Islami u takuan, u rritën dhe krijuan diçka të re. Stambolli është në fund të fundit, selia e Kostandinit, që ishte themeluesi politik i Krishtërimit. Është qyteti i laicizmit evropian, duke përballur autoritetin e përtërirë dhe fuqinë e fesë së vjetër. Laicistët e shohin fenë si diçka primitive. Fetarët e shohin veten si rojtarë të të vërtetave të lashta.
Presidenti turk Recep Tajyyip Erdoğan, shihet si një përbindësh nga shekullaristët brenda dhe, sidomos, jashtë Turqisë. Por, ata janë duke bërë një gabim të madh. Ai është një udhëheqës që, jo vetëm po e përkëdhel, por edhe e ka shaluar ‘tigrin’. Nëse nuk mundet të pajtojë laicistët dhe fetarët, ajo çfarë do të vijë pas tij, do jetë shumë më e keqe.
Sundimi i shekullaristëve në Turqi, i mbështetur nga ushtria, ka marrë fund. Në të njëjtën kohë, ne po shohim një transformim të laicizmit nga një sistem i tolerancës, që akomodon besimet private në jetën publike, në një përpjekje për t’i përjashtuar këto besime nga sfera publike. Të gjitha ideologjitë kanë prirje për një “reductio ad absurdum” (kandisje në absurd), për shkak se diktohen nga logjika e pamëshirshme.
Për shekullarizmin, dallimi midis publikes dhe privates, duhet të ruhet me çdo kusht. Në shekullin XXI-të, e kaluara po rikonfirmon pretendimin e saj në sferën publike. Në të njëjtën kohë, shekullarizmi pretendon se Zoti duhet të mbahet jashtë jetës publike dhe se laikët janë profeti i tij i vetëm. Kjo do të çojë në më shumë Erdoğan-ë dhe, nëse ata humbasin, në udhëheqës edhe më të këqij.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce