Pushteti lokal në Maqedoni mund të përjetojë të njëjtin fat me qeverinë, nëse nuk arrihet një marrëveshje për ndryshimet ligjore të zgjatjes së mandatit të kryetarëve të komunave, që përfundon më 15 maj.
Zgjedhjet ishin parashikuar të mbaheshin në fund të këtij muaji, por për shkak të bllokimit të punës së Kuvendit dhe mosformimit të qeverisë, nuk është shpallur një datë fikse.
Nga ana tjetër, edhe mandati i kryetarëve të komunave përfundon në më pak se një muaj.
Qeveria teknike, javën e kaluar, ka formuar një grup pune për të propozuar zgjidhje për vazhdimin e mandatit deri në mbajtjen e zgjedhjeve, në të kundërt, rrezikohet bllokimi i pushtetit lokal, që nënkupton bllokim të pagave në arsimin fillor, në çerdhe dhe punonjësve lokalë.
Gjithashtu, në qoftë se nuk do t’i jepet një zgjidhje brenda afatit të përcaktuar në ligj, edhe investimeve apo transaksioneve financiare, dëmtohet seriozisht pushteti.