Pas lajmërimit që bëri ambasada Amerikane për sulme të mundshme terroriste në Shqipëri, gjatë festës së Pashkëve, imami shqiptar, Ahmed Kalaja, shprehet se myslimanët janë të gatshëm t’i mbrojnë kishat me jetët e tyre.
“Në historinë shqiptare ka pasur momente shumë interesante se si prifti me njerëzit e kishës kanë dalë në mbrojtje të xhamisë, kur ka pasur momente që dikush ka dashtë të fusë fitilin e përçarjes në emër të fesë dhe besimit”, tha imami i xhamisë “Dine Hoxha”, Ahmed Kalaja.
“Ne jemi të gatshëm si myslimanë të përsërisim të njëjtën gjë, nëse dikush dëshiron të kërcënojë katolikët, ortodoksët, të krishterët shqiptarë, të jemi ne mbrojtësit e parë dhe të jemi ne rrethi i parë, i cili e mbron kishën nga çdo lloj sulmi i mundshëm, (nëse dikush) tenton të prishë harmoninë apo tolerancën ndërfetare në këtë vend”.
Kalaja tha se “ne si myslimanë jemi gati… që, nëse dikush do të bëjë tentativa të tilla, të kalojë përpara mbi trupat tonë, të kalojë përpara mbi gjakun tonë, pastaj të arrijë aty ku do të arrijë.”
Imami tha se “pa kaluar mbi trupat tonë dhe gjakun tonë nuk mund ta arrijë një gjë të tillë, sepse atë që e kemi nuk duam ta humbim…”
Ai u shpreh se askush nuk mundet ta cenojë atë që ne e kemi trashëguar, e shtoi se duke e bërë këtë “ne nuk po dalim nga feja dhe besimi”, por “i shërbejmë fesë dhe besimit”, transmeton tv klan.
Imami iu referua edhe historianit britanik Thomas Arnold, i cili ka analizuar arsyet se përse mes shqiptarëve kurrë nuk ka pasur përplasje fetare. “Thoshte: ‘janë i njëjti gjak, kanë të njëjtën kulturë, kanë të njëjtat tradita dhe zakone dhe s’ka ndodhur ndonjëherë në historinë e shqiptarëve që të ketë pasur përplasje për arsye fetare dhe besimi’. Po kështu këtë e kam gjetur në thëniet e shumë (personave) qofshin historianë, shkrimtarë, filozofë shqiptarë apo të huaj dhe kjo është një mirësi dhe begati, të cilën duhet ta ruajmë”, tha Kalaja.
Ai tha se “janë agjenda të interesuara që të ndodhin gjëra të tilla, dhe ne jemi shumë më të interesuar që kurrë të mos të ndodhin gjëra të tilla.”
Besimtarët e krishterë do të festojnë Pashkët, të dielën më 16 prill. Sot gjatë ditës, policia e Kosovës njoftoi arrestimin në Pejë të një personi, i cili përmes rrjeteve sociale ka bërë thirrje për sulm terrorist.