Zahir Tanin, kreu i UNMIK-ut në Kosovë, ka deklaruar se Administrata e Kombeve të Bashkuara do të mbetet në Kosovë, për aq kohë sa këtë e kërkon Këshilli i Sigurimit.
Ai zhvilloi sot një takim me Komisionin për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, në të cilin tha:
“Ne ishim dhe jemi këtu që të punojmë dhe të shohim se si mund të kontribuojmë së bashku për paqen e stabilitetin në Kosovë, pra bashkë me KFOR-in, BE-në, EULEX-in, OSBE-në dhe organizata tjera ndërkombëtare. Puna dhe prania e UNMIK-ut është çështje e Këshillit të Sigurimit dhe ne do të jemi këtu për aq kohë sa Këshilli i Sigurimit e dëshiron këtë”.
Por, kreu i Komisionit për Punë të Jashtme, deputeti Elmi Reçica, tha se UNMIK-u punon në Kosovë mbi bazën e Rezolutës 12 44 të Këshillit të Sigurimit dhe se Komisioni nuk ka ndonjë informatë nga Ministria e Punëve të Jashtme për zvogëlimin e mëtejshëm të mandatit të këtij misioni, apo edhe mbylljen e tij.
Lidhur me deklaratat që janë bërë në Ministrinë e Jashtme rreth mandatit të UNMIK-ut, Reçiça tha se do të ftohet të raportojë ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, që t’i sqarojë ato.