Trajneri i Shqipërisë, Rolando Maran, foli në konferencë për shtyp, pas publikimit të listës për dy ndeshjet miqësore, ndaj Izraelit dhe Luksemburgut.
Tekniku kuqezi zbuloi arsyen e mungesës së Jasir Asanit, ndërsa theksoi se një ndryshim i menjëhershëm në kombëtare për momentin mund të ishte i rrezikshëm.
“Jasir Asani nuk është ftuar sepse nuk ka luajtur. Unë nuk kam folur, por e kanë kontaktuar bashkëpunëtorët e mi. Ai nuk ka luajtur këtë periudhë dhe do të ishte e vështirë për të që të ishte gati për këto ndeshje.
Unë do provoj t’i jap minuta të gjithëve dhe do e shikojmë pas stërvitjeve. Unë mezi pres të nis stërvitjen. Ka vlera që të shprehim dhe vlerat e mia. Nuk ka moment më të mirë për të qenë i lumtur me këtë punë. Të gjithë e duam Kombëtaren. Kam dëshirë të madhe për të arritur objektivat.
Mendoj se është një bazë lojtarësh që kanë bërë mirë dhe kanë çuar skuadrën përpara. Ndryshimet duhet të jenë graduale. Ndryshimet e menjëhershme mund të jenë të rrezikshme. Është një bllok i cili mund të ketë ndryshime, por ato mund të jenë në funksion të përmirësimit të Kombëtares”, deklaroi Maran.
Shqipëria do të luajë me Izraelin më 3 qershor dhe me Luksemburgun më 6 qershor. Të dyja sfidat do të zhvillohen në stadiumin “Air Albania”.
/tvklan.al















