Banorët në Arapaj denoncojnë: 22-vjeçari lëviz me shpejtësi, na rrezikohen fëmijët! “Të mos përsëritet tragjedia e 3 majit”
Disa banorë të Arapajt në Durrës kanë ngritur alarmin për një situatë që e cilësojnë të rrezikshme për jetën e fëmijëve në zonë. Revolta e tyre vjen vetëm pak ditë pas aksidentit tragjik të 3 majit, ku humbën jetën dy të mitur dhe një tjetër mbeti i plagosur pasi u përplas nga një automjet.
Këtë të mërkurë, banorët dolën në protestë dhe hodhën akuza ndaj një familjeje në lagje, duke pretenduar se prej kohësh po përballen me konflikte dhe sjellje që u cenojnë sigurinë.
Sipas tyre, shqetësimi kryesor lidhet me lëvizjen me shpejtësi të lartë të automjeteve në rrugicat e ngushta të zonës, manovrat e rrezikshme pranë banesave dhe konfliktet verbale e fizike.
“Jam e kërcënuar për fëmijët. Vjen me shpejtësi, bën xhiro këtu dhe konfliktohet me të gjithë. Kam një tufë kalamajsh para derës”, shprehet një nga banoret.
Banorët pretendojnë se një 22-vjeçar dhe motra e tij 20 vjeçe, e cila sipas tyre ndjek studimet për efektive policie, janë denoncuar disa herë për konflikte në lagje. Ata thonë se dy javë më parë ka ndodhur edhe një përplasje fizike për shkak të parkimit, ku një komshie dyshohet se është plagosur me thikë.
Sipas protestuesve, rreth 20 familje kanë bërë denoncime të vazhdueshme, por pa marrë zgjidhje konkrete nga institucionet. Apeli i tyre është që autoritetet të ndërhyjnë sa më parë, për të shmangur një tjetër tragjedi.















