Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, është rikthyer sërish në qeli për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit prej 6 muaj e 10 ditësh burg.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e ish-kryebashkiakut të Himarë, Jorgo Goro, për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit deri në një vendimmarrje nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë.
Vendimi u mor nga gjyqtarja Etleva Deda, pasi u shqyrtuan pretendimet e mbrojtjes dhe qëndrimi i prokurorisë, duke lënë në fuqi vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit.
Vendimi lidhet me dosjen ku Goro është shpallur fajtor për tjetërsimin e një prone në favor të ish-kryetarit të komanduar të Bashkisë Himarë, Arqile Bollano. Apeli i Posaçëm kishte konfirmuar më herët dënimin prej 2 vitesh burg, i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar është ulur në 1 vit e 4 muaj heqje lirie.
Pas përllogaritjes së kohës së vuajtur dhe vendimeve gjyqësore, SPAK urdhëroi rikthimin e tij në burg. Goro ishte arrestuar fillimisht më 23 mars 2024 dhe gjatë procesit ka kërkuar vazhdimisht pafajësinë.
Ish-kryebashkiaku u arrestua në mars të vitit të kaluar pas kallëzimit të bërë nga Fredi Beleri. Për të njëjtën çështje pritet të gjykohet edhe ish-kreu i Kadastrës së Vlorës, Bilbil Aliaj, ndërsa ish-juristi Vezir Gjikoka ndodhet në masën “arrest në shtëpi”.















