VLORË, 25 prill 2026 – Një rast i shitjes së lëndëve narkotike është goditur nga Policia e Vlorës, ku një 53-vjeçar është arrestuar në flagrancë dhe dy persona të tjerë janë proceduar penalisht si bashkëpunëtorë.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë kanë ndërhyrë pas informacioneve të siguruara për aktivitet të dyshuar kriminal në qytet, duke finalizuar identifikimin dhe ndalimin e tre shtetasve.
Në kuadër të operacionit, u arrestua shtetasi B. L., 53 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut, ndërsa u proceduan penalisht shtetasit A. I., 31 vjeç, banues në Vlorë, dhe K. A., 27 vjeç, banues në Berat.
Nga hetimet dyshohet se 53-vjeçari kishte marrë me qira një banesë në lagjen “10 Korriku”, të cilën e kishte përshtatur për fshehjen dhe përgatitjen e lëndëve narkotike për shitje në doza të vogla.
Gjatë kontrollit në banesë, ku janë gjetur edhe dy shtetasit e tjerë, policia ka sekuestruar sasi të dyshuara kokainë dhe cannabis sativa, një peshore elektronike dhe tre aparate celularë, të cilat do të shërbejnë si prova materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit.















