Parlamenti miratoi pas një seance maratonë projektligjin për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë. 75 deputetë të mazhorancës votuan pro, 1 abstenoi, ndërsa 15 votuan kundër.
Po me votat e mazhorancës u miratua projektligji për qeverisjen elektronike dhe projektvendimi për miratimin e planit vjetor për zbatimin e programit të statistikave zyrtare.
Seanca zgjati rreth 18 orë dhe përfundoi vetëm në orët e para të mëngjesit pas debateve dhe akuzave mes palëve.
Ndërkohë me votat e mazhorancës u rrëzuan disa projektligje të propozuara nga ana e opozitës. Bëhet fjalë për projektligjet për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, akcizat, arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, tatimin e vlerës së shtuar, për statusin e minatorit dhe atë për domosdoshmërinë e kryerjes së analizave laboratike për ndotësit ushqimorë.
Në këtë seancë u zgjodhën anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë Selami Xhepa, Holta Zaçaj, Jonida Prifti dhe Ervin Mete ndërsa votimi për Matilda Shehun u shty për në një seancë tjetër.















