Emergjencat pranë Bashkisë së Vlorës janë pozicionuar në terren pranë urës së Mifolit, në shtratin e lumit Vjosë, ku po kryhet përforcimi i argjinaturës me rreth 800 metra kub dhe ngritja e saj mbi nivelin aktual. Ndërhyrja po kryhet në ato pjesë ku ka pasur dëmtime të argjinaturës, me qëllim të ndërhyrjes në kohë për të shmangur çdo rrezik.
Kanan Shakaj, kreu i Njësisë Administrative Novoselë, tha se Vjosa ka kohë që nuk ka dalë nga shtrati, megjithatë situata duhet mbajtur nën monitorim të vazhdueshëm. “Po hedhim dhe presim normalisht situatën që pritet gjatë orëve të mbrëmjes,” u shpreh ai, duke iu referuar parashikimeve për reshje intensive.
Ndërkohë, Shakaj ka theksuar se janë bërë njoftimet për çdo emergjencë të mundshme, kryesisht për familjet që kanë banesat apo bagëtitë pranë shtratit të lumit Vjosë, në mënyrë që strukturat të ndërhyjnë menjëherë në rast nevoje. Për momentin nuk ka rrezik, megjithatë po merren të gjitha masat e nevojshme.
Vlora, deri ditën e enjte në mëngjes, sipas parashikimeve, cilësohet me risk për shkak të reshjeve intensive të pritshme. Zona e Novoselës, edhe për shkak të lumit Vjosë dhe prurjeve të mundshme, mbetet më e rrezikuar. Po punohet për përforcimin e argjinaturës, ndërsa për momentin nuk ka rrezik të menjëhershëm.















