Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar informacionin lidhur me situatën e krijuar nga moti i keq në vend. Reshjet intensive të shiut kanë detyruar strukturat e emergjencave civile të ndërhyjnë për menaxhimin e situatës.
Kështu, për shkak të pranisë së ujit në banesa, është kryer evakuimi i një familje prej 5 anëtarësh nga ekipet e Forcave të Armatosura në fshatin Dukagjin i Ri, njësia administrative Thumanë.
Ndërkohë, në njësinë administrative Zejmen, si pasojë e vërshimit të përrenjve të Prullit dhe Pllanës, ka prani uji në 4 banesa. Banorët janë akomoduar përkohësisht nga strukturat vendore. Forcat e emergjencave kanë kryer tërheqjen e ujit dhe pastrimin fillestar të ambienteve të prekura.
Qarku Durrës
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, nhë këtë qark vijon puna në terren për eliminimin e pasojave të reshjeve në njësitë Sukth, Katund i Ri dhe Ishëm. Niveli i ujit në lumenjtë Erzen dhe Ishëm është brenda kuotave normale.
Ndërkohë, hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallaj vijojnë punën me kapacitet të plotë.
Qarku Dibër
Situata paraqitet e qetë në këtë qark, përveç mungesës së energjisë elektrike në njësitë Kala e Dodës, Sllovë, Zall Dardhë, Reç, Lurë dhe pjesërisht në Arras e Fushë Çidhën.
Grupet e OSHEE-së po punojnë për riparimin e defekteve.
Qarku Lezhë
Vijon puna për normalizimin e situatës në Mamurras dhe fshatrat Gjorëm, Zhejë dhe Fushë Mamurras.
Në fshatin Shpërdhe, rruga është dëmtuar nga ujërat e lumit Droje. Puna vijon edhe në segmentin Skuraj–Gallatë–Vinjollë, i cili mbetet i bllokuar për shkak të dëmtimit të urës mbi lumin Vinjollë.
Nivelet e ujit në lumenjtë Drin dhe Mat janë brenda kuotave.
Qarku Kukës
Në Kukës ka rënie inertesh në disa akse rrugore, dhe kompanitë kontraktore po punojnë për pastrimin e tyre. Segmenti Vranisht–Fajza (njësia Fajza, bashkia Has) është dëmtuar si pasojë e reshjeve.
Qarku Shkodër
Vijon pastrimi i inerteve në segmentin Gimaj–Bregu i Lumit (njësia Shalë) nga trupat e FA dhe punonjësit bashkiakë.
Segmenti Ndërlysë–Breg Lumi mbetet i bllokuar; po punohet për hapjen e tij.
Qarku Elbasan
Nuk ka raportime për problematika, përveç rënies së inerteve në segmentet Elbasan–Librazhd dhe Elbasan–Rrogozhinë, të cilat po pastrohen nga operatorët e mirëmbajtjes.
SITUATA ENERGJETIKE
Ekipet e OSHEE-së po punojnë për rikthimin e energjisë në:
• disa fshatra të njësisë administrative Rubik (Mirditë),
• fshatrat Torocish, Kukës, Berishë dhe Lekbibaj të Tropojës,
• njësitë Kurvelesh, Zagori, Luftinjë dhe Dropull i Poshtëm (Qarku Gjirokastër),
• disa njësi administrative të Qarkut Korçë.
Në qarqet e tjera të vendit nuk raportohen problematika.















