Gjermania shpreh mbështetje për Turqinë në afrimin e saj me Bashkimin Evropian, me kancelarin Friedrich Merz që, në krah të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, deklaroi se dëshiron ta shohë Ankaranë si pjesë të bllokut evropian.
Ndërkohë, sipas mediave turke, Erdogan i ka kërkuar Berlinit ndihmë për të siguruar qasje në fondin evropian të mbrojtjes SAFE, me vlerë 150 miliardë euro.
“Do të bashkëpunojmë më ngushtë me Turqinë në fushën e politikave të sigurisë,” tha kancelari gjerman, duke shtuar se “ne duam ta shohim Turqinë në BE.”
Megjithatë, Merz theksoi se Turqia ende nuk i plotëson kriteret për t’u bërë vend kandidat për anëtarësim në BE.
Kancelari gjithashtu përshëndeti vendimin e Turqisë për të blerë 20 avionë luftarakë Eurofighter, duke e cilësuar këtë si një hap që do të forcojë aleancën ushtarake të NATO-s përballë kërcënimit nga Rusia.
“Të gjithë jemi dakord se këto avionë do t’i shërbejnë sigurisë kolektive të Aleancës,” u shpreh ai për gazetarët në Ankara.
Gjermania, e cila fillimisht kishte vendosur veto ndaj marrëveshjes për shkak të mbështetjes së Turqisë ndaj organizatës palestineze Hamas, e hoqi këtë veto në korrik.
 
	    	














