Ferdinand Xhaferaj, ish-deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit emërohet këshilltar i Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Emërimi vjen pas përfundimit të mandatit të tij parlamentar dhe vendimit për të mos marrë pjesë në primaret e PD-së për zgjedhjet e ardhshme.
Xhaferaj sjell në institucionin e Presidencës një përvojë të gjerë dhe të konsoliduar, duke iu referuar karrierës së gjatë në politikë dhe në fushën e sigurisë kombëtare. Ai është diplomuar në Universitetin e Tiranës dhe ka ndjekur studime të avancuara në SHBA, përfshirë një specializim në Universitetin e Harvardit për “Politikat e Lidershipit” (1999) dhe një Master të Dyfishtë në “Siguri Ndërkombëtare” dhe “Çështje të Sigurisë Kombëtare” në Naval Postgraduate School. Në vitin 2006, ai përfundoi studimet e doktoraturës në Akademinë e Mbrojtjes.
Kush është Ferdinand Xhaferaj
Ferdinand Xhaferaj ka kryer studimet BA në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1999, z. Xhaferaj ka kryer një specializim në Universitetin e Harvardit për “Politikat e Lidershipit” dhe më pas ka ndjekur një Master të Dyfishtë (Double Degree Master) për “Siguri Ndërkombëtare” dhe për “Çështje të Sigurisë Kombëtare”, në Naval Postgraduate School, SHBA. Në vitin 2006 përfundon studimet e doktoraturës pranë Akademisë së Mbrojtjes.
z. Xhaferaj është zgjedhur deputet nga Partia Demokratike Shqiptare në Kuvendin e Shqipërisë për 5 legjislatura dhe ka mbajtur funksione si:
– Kryetar i delegacionit Parlamentar Shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s (1996 – 1997)
– Bashkë kryetar i Komisionit Parlamentar për Integrim në NATO (2007 – 2009)
– Zëvendëskryetar i Komisionit Parlamentar për Integrim Europian (2005 – 2009)
– Anëtar i Delegacionit Parlamentar Shqiptar në Parlamentin Europian (2005 – 2009)
– Zëvendëskryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare (2021 – 2025)
Gjatë viteve 2009-2011, z. Xhaferaj ka shërbyer si Ministër në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Krahas angazhimit politik, z. Xhaferaj është angazhuar edhe në mësimdhënie duke lektruar në institucione të ndryshme të arsmit të lartë në vend si Akademia Ushtarake, Universiteti i Durrësit, Kolegji Universitar ‘Bedër’. Z. Xhaferaj ka marrë pjesë në shumë konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare si folës kryesor në çështje të sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare dhe ka publikuar një monografi të titulluar “Deballkanizmi i Ballkanit” botuar nga shtëpia botuese Dudaj. Fushat e tij të interesit janë: shkencat politike, marrëdheniet ndërkombëtare; siguria kombëtare dhe ndërkombëtare.
z. Ferdinand Xhaferaj është njohës shumë i mirë i gjuhës angleze dhe gjuhës italiane.