Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi ka reaguar për emailin që iu dërgua deputetëve me emrin e diktatorit Enver Hoxha, që ishte vendosur në listën e figurave që duheshin nderuar për muajin Tetor.
“Kërkoj ndjesë për keqkuptimin”, tha kryeparlamentari Peleshi në nisje të senacës.
Në një dokument të cilësuar ‘informativ’ për deputetët me titullin “figurat kombëtare dërguar nga zyra e Institutit Parlamentar në emailin e 140 deputetëve të Kuvendit, Hoxha përshkruhet si “Hero i Popullit” dhe “Hero i Punës Socialiste”, ndërsa në biografi përmendet si udhëheqës i shtetit shqiptar, i Partisë Komuniste dhe më pas i Partisë së Punës.
Emri i tij vendoset në radhë me personalitete të tjera të historisë shqiptare që kanë lindur apo vdekur në muajin tetor, të tillë si Sulejman Delvina, kryeministër i qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjes, priftërinjtë françeskanë me kontribute në etnologji e letërsi, At Shtjefën Gjeçovi, At Gjergj Fishta, rilindasve Abdyl dhe Naim Frashëri, Mbretit Zogu i I-rë, shkrimtarit Dritëro Agolli, etj..
Emaili solli reagimin e menjëhershëm të deputetëve të opozitës, historianëve dhe organizatave të shoqërisë civile, që e cilësuan veprimin e shërbimeve të Kuvendit si një akt të paprecedent që krijonte përçarje dhe fyente viktimat e komunizmit.
Deputeti Erald Kapri i Partisë Mundësia i kërkoi zyrtarisht Kuvendit që të tërheqë dokumentet dhe të kërkojë ndjesë, ndërsa e cilësoi aktin si “skandaloz” në një reagim publik.
“Si mundet që Kuvendi i Shqipërisë u kërkon deputetëve të respektojnë ish-diktatorin që është përgjegjës për mijëra të vrarë, burgosur, internuar”, -shkruan Kapri në e-mailin dërguar zyrës përgjegjëse për prodhimin e dokumentit.
Edhe Belind Këlliçi nga Partia Demokratike e cilësoi dokumentin si përpjekje për të ‘ringjallur’ diktatorin.
“Tendenca të tilla të manipulimit të historisë tregojnë për një përpjekje djallëzore për të ringjallur mitet e historiografisë komuniste, ku kriminelet konsiderohen heronj të popullit dhe mendësia totalitare helmon mendjet e të rinjve, duke e bërë regjimin monist jo vetëm të pranueshëm por edhe të dëshirueshëm”, shkruan ndër të tjera Këlliçi në një status në Facebook.
Organizata “Qendresa Qytetare” gjithashtu mbajti qëndrim duke e cilësuar një “akt skandaloz” që “nxit përçarje dhe fyerje”.
“Futja e emrit të Enver Hoxhës në listën e personaliteteve të muajit tetor në Kuvend është si të futet emri i Hitlerit në hollet e Bundestagut,” thuhet në reagimin e kësaj organizate.