Kanë kaluar gjashtë javë kampionat, ku Bylisi ka pasur një ecuri me luhatje sa i përket rezultateve, ndërsa loja e skuadrës ka shfaqur përmirësim gradual. Nën drejtimin e trajnerit Mirel Josa, skuadra ka dominuar në mbajtjen e topit dhe ka ushtruar presing të fortë, duke krijuar aksione sulmuese të rrezikshme.
Tashmë, Bylisi po përqendrohet te sfida e radhës ndaj Vllaznisë në Ballsh, një duel që konsiderohet shumë i fortë dhe ku skuadra ka për qëllim të sigurojë tri pikët. Për më tepër, historikisht, skuadra ka pasur rezultate pozitive ndaj shkodranëve, si në Ballsh ashtu edhe në Shkodër. Përgatitjet për këtë ndeshje janë pak të vështira për trajnerin Josa dhe stafin e tij, pasi katër lojtarë janë të grumbulluar me përfaqësueset.
Aurel Marku dhe Fabjan Përndreca me U-21, Aboubakar Kamara me Nigerin dhe Petro Marku me Kombëtaren U-17. Megjithatë, periudha e ndërprerjes së kampionatit përveç që është një sfidë, i mundëson skuadrës të zhvillojë edhe ndeshje miqësore brenda “familjes”, duke përfituar nga ekipi “B” që luan në Kategorinë e Dytë.
Kjo është mënyra më e mirë për të mbajtur lojtarët të karikuar. Kalendari i ardhshëm është sfidues, Bylisi do të presë Vllazninë në shtëpi, më pas luan me Elbasanin në transfertë dhe mbyll fazën e parë kundër Vorës në “Adush Muçaj”. Tri ndeshjet e radhës janë ndaj skuadrave që kanë treguar ambicie dhe paraqitje të mirë këtë sezon.
Pavarësisht se pjesa e parë e kampionatit ka pasur më shumë ndeshje në shtëpi, rezultati nuk ka qenë maksimal. Me rikthimin gradual në formë të lojtarëve kyç dhe me përforcimet e verës që mund të debutojnë së shpejti, trajneri Josa ka mundësinë të eksperimentojë me skema të reja dhe të synojë që Bylisi të grumbullojë sa më shumë pikë në gjysmën e parë të garës.