Reforma në drejtësi, e nisur me entuziazëm dhe mbështetje ndërkombëtare, sot është kthyer në një eksperiment të dështuar që ka prodhuar boshllëk institucional, vonesa të pafundme në procese dhe ka vendosur sigurinë e gjyqtarëve dhe qytetarëve në rrezik të drejtpërdrejtë.
Sot, në sallën e gjyqit, në tempullin ku ligji duhej të mbretëronte, gjyqtari Astrit Kalaja u vra me pelerinën e gjyqtarit mbi supe dhe ky akt i përgjakshëm është pasqyrë e një reforme që ka vrarë besimin dhe funksionin e drejtësisë.
Ngjarja e rëndë ku gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën brenda sallës së gjyqit pasi u vra nga një palë në proçes është pasqyrë e asaj që prej vitesh është paralajmëruar, drejtësia shqiptare është shndërruar në një sistem të rrënuar, të çoroditur dhe të kapur nga interesa personale dhe lojëra me pushtetin.
Reforma në drejtësi, e nisur me entuziazëm dhe mbështetje ndërkombëtare, sot është kthyer në një eksperiment të dështuar që ka prodhuar boshllëk institucional, vonesa të pafundme në procese dhe ka vendosur sigurinë e gjyqtarëve dhe qytetarëve në rrezik të drejtpërdrejtë.
Një “vetting” i shitur si shpëtim por që në fakt shkaktoi boshllëk, vonesa dhe paralizë institucionale; përgjegjës janë ata që duhej të garantonin pastrimin e sistemit por në vend të kësaj e vranë atë duke mbajtur peng emërimet dhe duke lejuar që vende të lira të qëndrojnë bosh për antarët e KPA.
Një ndër shembujt më të qartë të kësaj kapjeje të sistemit është sjellja e anëtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA). Këta individë, në vend që të kryejnë rolin kushtetues për të përfunduar procesin e vetingut me paanshmëri dhe ndershmëri, kanë dërguar një shkresë zyrtare në Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ), nëpërmjet së cilës kanë kërkuar që vendet vakante në gjykata të mos plotësohen. Arsyeja? Duan që këto vende të ruhen për vete, për t’u punësuar aty pasi të mbarojnë mandatin në KPA, sapo të përfundojnë procesin e vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët.
Kjo është një kërkesë skandaloze, që e nxjerr zbuluar të gjithë absurditetin e reformës në drejtësi. Të bllokosh qëllimisht sistemin, të mbash peng vakancat në gjykatat e Apelit, aty ku proceset janë të zvarritura për vite me radhë dhe ku qytetarët presin drejtësi, vetëm për të siguruar vendin tënd të punës, është një akt i pastër kapjeje të shtetit dhe abuzimi me pushtetin publik.
Ndërkohë, gjyqtarët e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm po punojnë në kushte të jashtëzakonshme. Në shumë raste dhe për shumë vite ishin vetëm 4-5 gjyqtarë përballeshin me dhjetëra çështje çdo ditë, duke punuar pa pushim për të mbajtur në këmbë një sistem që është lënë në mëshirë të fatit.
Edhe aktualisht kemi më shumë se gjysmat e gjyqtarëve që mungojnë në gjykatën e Apelit.Këta gjyqtarë nuk kanë luksin të dërgojnë letra për të ruajtur karriget. Ata janë në frontin e parë të një lufte institucionale, duke bërë të pamundurën për t’i dhënë qytetarëve një grimë drejtësi në një kohë kaosi.
Ndaj, le të jemi të qartë,vdekja e gjyqtarit Kalaja është një tragjedi e kryer po nga vet sitemi dhe ajo është edhe pasojë direkte e bllokimit të qëllimshëm të drejtësisë nga individë që kanë kthyer reformën në drejtësi në një trampolinë për interesa personale. Kjo është ajo që ndodh kur drejtësia përdoret si mjet karriere, dhe jo si shërbim për publikun.