Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për rajonin Vlorë–Gjirokastër ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë A. M., me detyrë Shef i Kufirit të Gjelbërt Kakavijë, nën dyshimin për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Arrestimi erdhi pas një aksidenti të ndodhur një ditë më parë, ku gjatë drejtimit të automjetit, ai përplasi shtetasen K. H., e cila fatkeqësisht humbi jetën si pasojë e plagëve. Autoritetet kanë kryer veprimet e para hetimore, përfshirë këqyrjen e vendit të ngjarjes, sekuestrimin e mjetit si dhe marrjen e një mostre gjaku për ekspertizë toksikologjike. Testi i alkoolit rezultoi negativ.
Materialet procedurale janë referuar pranë Prokurorisë së Gjirokastrës, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm.