Kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, u shpreh se refuzimi i mocionit me debat mbi programin e qeverisë për katër vitet e ardhshme, është dëshmia se edhe seancën e votimit të Qeverisë dhe programit, mazhoranca e prishi qëllimisht pasi i trembej debatit.
Në fjalën e tij në Konferencën e Kryetarëve ku ka debatuar me kreun e grupit të PS Taulant Balla, Blushi shtoi se mazhoranca po tenton ta kthjëi Parlamentin në mauzole.
“Mocioni me debat është “pasqyra” e dështimeve, korrupsionit dhe inkriminimit të Qeverisë dhe Edi Ramës. Nuk mund t’i mohoni opozitës mekanizmat e saj kushtetues. Po prishni debatin, po shkatërroni parlamentarizmin, po shkelni Kushtetutën.
Frika juaj është tmerri nga aferat që mbani mbi supe. Refuzimi i kërkesës për mocion nga mazhoranca, përpjekje për të zhbërë një tjetër të drejtë kushtetuese të opozitës.
Pranoni debatin dhe përballjen me opozitën dhe mos u shmangni me procedure.
Po vijoni të shkelni Kushtetutën dhe të thelloni paligjshmërinë. Po tentoni ta ktheni Parlamentin në mauzole, ku të ketë veç mumje që nuk flasin dhe ku të prezantohen veç mendimet e fantazmave si “Diella”.
Ndalni provokimet ndaj opozitës. Refuzimi i mocionit është dëshmia se dhe seancën e votimit të Qeverisë dhe programit e prishët ju qëllimisht, sepse i trembeni debatit”, tha Blushi.