Bashkia Shkodër njofton se vijon puna për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme. Në një njoftim për mediet, bashkia njofton se ky aksion është përqendruar pranë blloqeve të pallateve, ku vetë qytetarët kanë depozituar ankesa pranë Policisë Bashkiake për zënien e hapësirave të përbashkëta për komunitetin.
Sipas drejtorit të Policisë Bashkiake, Saimir Rrustemi, “kjo është faza e dytë e ndërhyrjeve që po realizohen mes Policisë Bashkiake dhe IMT-së”.
“Pas lirimit të rrugëve kryesore, tashmë po ndërhyhet pranë blloqeve të banimit në brendësi të lagjeve të qytetit”, tha Rrustemi.
Në bazë të të dhënave të bashkisë Shkodër, ky është blloku i katërt i pallateve ku fadromat e bashkisë po ndërhyjnë për të liruar sipërfaqe publike të zaptuara prej vitesh.
Aksioni pritet të vijojë edhe në zona të tjera të qytetit të Shkodrës ku janë evidentuar shkelje dhe zaptime të sipërfaqeve publike të cilat duhet t’u kthehen qytetarëve.
Ndërhyrjet në Shkodër janë pjesë e aksionit që po zhvillohet në të gjithë vendin, për lirimin e hapësirave publike në mbrojtje të komuniteteve dhe lëvizjes së lirshme të qytetarëve.
Kjo nisëm kombëtare, e cila ka nisur në muajin korrik 2025, synon të përmirësojë cilësinë e jetës urbane, të rrisë funksionalitetin e bizneseve dhe të garantojë respektimin e standardeve të mikpritjes dhe shërbimit, jo vetëm në zonat turistike, por në çdo qytet e fshat të vendit.
Nisma do të vazhdojë deri në largimin e plotë të të gjitha strukturave pa leje, në bashkëpunim të ngushtë mes pushtetit vendor dhe institucioneve qendrore, për t’u siguruar që hapësirat publike i përkasin qytetarëve.
Kryeministri Rama ka deklaruar se “ofensiva” nuk do të ndalet deri sa fenomeni të zhduket. Kjo nisëm është pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.















