Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Dibër ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për Islam Metën, të akuzuar për vrasjen me paramendim të Petrit Kukës, ngjarje e ndodhur në fshatin Vig, Burrel.
Sipas hetimeve, viktima Petrit Kuka qëlloi me armë vajzën e Islam Metës në vitin 2013, pasi ishte dashuruar dhe kishte kërkuar fejesën me të, ndërsa familja e saj nuk e pranoi, duke e fejuar me një tjetër. Si pasojë e këtij konflikti, marrëdhëniet mes dy familjeve u tensionuan për vite me radhë.
Prokuroria sqaron se motivi i vrasjes është hakmarrja, pasi marrëdhëniet konfliktuale dhe plagosja e vajzës ishin shkaku i aktit fatal. Pas vrasjes, autori lajmëroi policinë dhe u dorëzua.
Në kërkesën për gjykim, Prokuroria konstaton plotësimin e elementeve të veprës penale “Vrasja me paramendim”, duke kërkuar dënimin maksimal për Islam Metën sipas Kodit Penal.















