Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e cila në Legjislaturën e mbyllur në korrik mbante pozicionin e kryetares së Komisionit të Edukimit dhe Medias, u shpreh sot se “duhet të kemi një Kod Penal që e trajton çështjen e gazetarëve dhe lirisë së medias në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës dhe rekomandimet e BE-së, siç parashikohet në Udhërrëfyesin për Shtetin e së Drejtës dhe siç kërkohet nga shoqëria civile dhe komuniteti i medias”.
Duke marrë shkasë nga prezantimi teknik i draftit të Kodit të ri Penal, Zhupa u shpreh se
me konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit do ta ndjekë me prioritet absolut këtë çështje, duke përdorur të gjitha instrumentet kushtetues për të dëgjuar grupet e interesit, për të ndjekur standardet europiane dhe për mos lejuar cenimin e lirisë së medias.
Zhupa theksoi se “gjatë riprezantimit të sotëm të Kodit Penal, i kamufluar si dëgjesë ku nuk u dëgjua askush nga shoqëria civile, nuk kishte ndryshuar aspak qasja e Kodit Penal ndaj lirisë së medias”.
“Metodë represive dhe insistim djallëzor për të heshtur dhe kontrolluar gazetarët nëpërmjet Kodit të ri Penal, totalisht të papranueshëm me standardet europiane. Nenet problematike që cenojnë drejtpërdrejtë lirinë e shprehjes, lirinë e ushtrimit të profesionit të gazetarët dhe fjalën e lirë vazhdojnë dhe mbrohen me absurditet”, shtoi ajo.
Zhupa renditi po ashtu edhe nenet për të cilat ka pasur reagim nga Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt, partnerë të Nismës për Reagim të Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR) dhe organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri, të cilat sipas saj, “nuk kishin ndryshuar”.