Kombëtarja e drejtuar nga Dragan Stojkovic mbërrin këtë të premte në Tiranë, pas orës 14:00, teksa do akomodohet në një nga hotelet jo shumë pranë stadiumit “Arena Kombëtare”. Që nga shkelja e tyre në Rinas, gjithë stafi serb do jenë të shoqëruar nën masa të rrepta sigurie nga policia, për të shmangur çdo problem.
Kombëtarja serbe e futbollit ka mbërritur në Tiranë dhe në kushte të forta sigurie është shoqëruar nga Rinasi për në hotelin pranë “Pallatit me Shigjeta”, ku edhe është akomoduar.
Gjithashtu ekipi i Serbisë do ketë edhe stafin e vet të sigurisë, ndërsa nuk do mungojë as kuzhinieri. Si shumë ekipe në botë, edhe Serbia do udhëtojë në Tiranë me kuzhinierin me vete. Më shumë se mosbesim për ushqimin e gatuar në hotelin ku do qëndrojnë, serbët duan të marrin kaloritë dhe dietën e duhur përpara një ndeshje që është deçizive për vendin e dytë në Grupin K, i cili me gjasë do diskutohet mes Shqipërisë dhe Serbisë deri në fundin e këtyre kualifikueseve.
Ditën e enjte Policia e Shtetit bëri me dije edhe masat e rrepta që do merren për këtë sfidë, ndërsa do ketë kontrolle të imtësishme për tifozët që do futen në stadium. Afro 2 mijë efektivë do jenë në terren, si edhe do bllokohen rrugët pranë “Arenës Kombëtare”.
Agjenda e ekipit serb në Shqipëri, e premte 6 qershor:
Mbërritja në Tiranë pas orës 13:30 të së premtes
Akomodimi në hotelin pranë “Pallatit me Shigjeta”
Ora 17:30 konferenca e trajnerit serb, Dragan Stojkovic në “Arenën Kombëtare”
Ora 18:00 ekipi serb stërvitet në “Arenën Kombëtare”
Ora 19:30 ekipi serb kthehet në hotel















