Dy nga projektet më të bujshme të qeverisë “Rama”, Tuneli i Llogarasë dhe Bypass-i i Vlorës, rezultojnë ende të papërfunduara, duke kërcënuar sezonin turistik 2025. Tuneli, i inaguruar me shumë pompozitet verën e kaluar, sot është i bllokuar dhe herë mbyllet, herë hapet e funksionon vetëm me një krah, ndërsa sinjalistika, asfaltimi dhe rrjetet ndihmëse mungojnë plotësisht. E njëjta situatë dramatike është edhe me Bypass-in e Vlorës, ku mungojnë sinjalet rrugore, tabela paralajmëruese dhe rruga është kthyer në burim aksidentesh.
Sakaq rruga nga Uji i Ftohtë deri ne Orikum është me gropa. Pra kjo panoramë tregon se ministrja Balluku ka dështuara me sukses. Kandidatë të opozitës në Vlorë kanë denoncuar publikisht mosfunksionimin e projekteve dhe kanë kërkuar hetim për vonesat dhe fondet publike të përfshira. Ministrja Belinda Balluku akuzohet për dështim të rëndë në menaxhimin e këtyre veprave strategjike. Qindra milionë euro të harxhuara nuk kanë sjellë rezultat konkret, ndërsa qytetarët dhe turistët përballen me rrugë të paaksesueshme dhe rreziqe të përditshme. Ekspertët paralajmërojnë se sezoni turistik rrezikon të “hidhet në erë” për shkak të këtij kolapsi infrastrukture.
Detaje nga Tuneli i Llogarasë
Konkretisht tuneli i Llogarasë është hapur për qarkullim 5 Korrik 2024 dhe ky aks pritet që të lehtësojë ndjeshëm trafikun drejt jugut të Shqipërisë. Nën ison e grupeve polifonike, qytetarë të shumtë dhe kryeministri Edi Rama inauguruan hapjen e tunelit. Ky tunel, me gjatësi 6 km dhe shpejtësi maksimale të lejuar 80 km në orë, shkurton distancën nga Dukati në Palasë, nga 30 minuta në 7-8 minuta. Ndërkohë, nga Vlora në Palasë që nëse dikur bëhej për 1 orë, tashmë ajo do realizohet për 20 minuta. Vepër historike e quan kryeministri Edi Rama, ndërsa shkruan se do të ndryshojë përgjithmonë udhëtimin drejt jugut. Përgjatë muajve të verës, tuneli do të aksesohet pa pagesë. Pagesa për tunelin do të vijojë pas vitit 2025, kur tuneli do të dorëzohet plotësisht.
Aktualisht, edhe për të lehtësuar trafikun në sezonin turistik dhe udhëtimin e turistëve drejt jugut, është hapur vetëm njëri krah i tunelit. Pas mbylljes së sezonit turistik do të nisë puna për krahun tjetër dhe pritet që në vitin 2025 qarkullimi do jetë i hapur në të dyja krahët. Ky tunel, fillimin e tij e ka 500 metra larg urës së Shën Elizës, që është pjesë e rrugës Orikum-Dukat. Tuneli i Llogorasë përbëhet nga dy tunele, tuneli kryesor dhe ai i emergjencës. Si tuneli kryesor, ashtu edhe ai i emergjencës, kanë 11 tunele lidhëse me njëri-tjetrin në gjithë gjatësinë e tyre. Thellësia e vijës së projektit të tunelit është 1 kilometër nga sipërfaqja e tokës. Por edhe pse sot jemi një vit pas, ky tunel vijon të jetë i bllokuar.
Detaje nga Bypass-i i Vlorës
Ndërkohë bypass-i i Vlorës vijon të jetë i bllokuar. Punimet pritet të përfundojnë në qershor, por duket se kjo gjë nuk mund të ndodhë. Ndërkaq kandidati për deputet nga Partia Demokratike Aleanca për Shqipërinë e Madhe (PD-ASHM), z. Atird Hoxha, së bashku me Kryetarin e Partisë Demokratike, Dega Vlorë, z. Hysni Sharra, kanë denoncuar publikisht mos përfundimin e punimeve në Bypass-in e Vlorës, një investim prej mbi 50 milionë euro që vijon të jetë i bllokuar prej më shumë se gjashtë muajsh. Ata ngritën shqetësimin e madh për situatën e këtij projekti jetik për qarkullimin dhe zhvillimin turistik të qytetit.
“Në prag të sezonit turistik, kur Vlora pritet të presë mijëra vizitorë, Bypass-i që duhej të ishte në funksion, vijon të jetë i pambyllur dhe jashtë çdo standardi të sigurisë”, u shpreh z. Hoxha. Ndërkohë, kryetari Sharra theksoi mungesën e sinjalistikës dhe tabelave informuese, duke e konsideruar këtë një rrezik serioz për qytetarët që lëvizin në këtë segment. “Asnjë paralajmërim, asnjë tabelë ndaluese. Rruga është kthyer në një burim potencial aksidentesh për qytetarët që nuk janë të informuar,” paralajmëroi ai. Duke e cilësuar këtë një aferë që ngre shumë pikëpyetje, përfaqësuesit e PD-ASHM i bënë thirrje organeve kompetente, në veçanti Prokurorisë, që të nisë hetimet për të zbuluar arsyet e vonesës dhe shkaqet që kanë sjellë këtë bllokim të paarsyeshëm të një investimi publik me vlerë kaq të madhe.