Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka konfirmuar se strategu politik amerikan Criss LaCivita dhe ekipi i tij do të jenë pjesë e fushatës së opozitës për zgjedhjet e ardhshme. Në një intervistë televizive, Mediu deklaroi se LaCivita ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me ish-kryeministrin Sali Berisha, si dhe me strukturat e Partisë Demokratike dhe koalicionit opozitar.
Ai sqaroi se nga fillimi i prillit, ekipi i LaCivita do të jetë i pranishëm në Shqipëri deri në përfundim të zgjedhjeve, duke ofruar mbështetje strategjike dhe konsulencë për fushatën elektorale. Edhe pse LaCivita nuk do të qëndrojë gjatë gjithë kohës, ai do të mbajë kontakte të rregullta me opozitën dhe do të ketë prani fizike në fushatë.
Sipas Mediut, janë realizuar sondazhe nga e njëjta kompani që ka punuar për fushatën e Donald Trump në SHBA, dhe rezultatet tregojnë se opozita ka shanse për fitore.
“Opozita ka nevojë për një organizim të mirë dhe një mesazh të qartë për qytetarët. Nuk është vetëm çështje e strategjisë së LaCivita, por e gjithë opozita duhet të angazhohet në të gjitha nivelet për të përcjellë mesazhin e duhur,” tha Mediu.