Një bilanc tragjik është shënuar me aksidente të ndodhura në orët e fundit në Shkodër. Si pasojë e aksidenteve, tre të moshuar kanë ndërruar jetë.
Gazetari Senad Nikshiqi raporton për Balkanweb se viktima në aksidente të ndryshme kanë mbetur shtetasit Burhan Triepshi, Sait Rraboshta dhe Ahmet Xhaka.
“Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Shkodër arrestuan në flagrancë shtetasit:
Klevis Duka, 28 vjeç, pasi në aksin rrugor Shkodër-Koplik ky shtetas duke drejtuar automjetin e tij, ka përplasur motomjetin me drejtues shtetasin Burhan Triepshi, 84 vjeç. I cili ka humbur jetën në Spitalin Rajonal të Shkodrës.
Elda Molika, 35 vjeçe., banuese në Shirokë. Në aksin rrugor Shirokë-Shkodër, kjo shtetase duke drejtuar automjetin e saj, ka përplasur shtetasin Sait Rraboshta, 70 vjeç, që lëvizte me biçikletë, i cili ka humbur jetën në Spitalin Rajonal të Shkodrës.
Ledina Bushataj, 24 vjeçe., pasi ditën e sotme në aksin rrugor Shkodër-Koplik, kjo shtetase duke drejtuar automjetin e saj, ka përplasur motomjetin me drejtues shtetasin Ahmet Xhaka, 70 vjeç, i cili ka humbur jetën në Spitalin Rajonal të Shkodrës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.