Deputeti Asllan Dogjani ka kërkuar një interpelancë me ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha, lidhur me rritjen e ngjarjeve kriminale në vend. Në kërkesën e tij drejtuar Kuvendit, Dogjani ka theksuar shqetësimin për vrasjet mafioze që janë kryer në mes të Tiranës dhe në akset rrugore, duke rritur pasigurinë në vend. Ai ka nënvizuar gjithashtu dështimin e policisë për të parandaluar këto ngjarje dhe nivelin e ulët të zbulueshmërisë së tyre.
Në disa qytete të ndryshme të Shqipërisë janë regjistruar atentate me viktima, përfshirë rastet e Klaudio Prendit në Tiranë, Kristian Markut në Vlorë dhe Ramazan Matajt në Shkodër.
Kërkesa e plotë:
Znj. Kryetare,
Në kohët e fundit, ka pasur një rritje të veprave penale të vrasjes, të kryera në mënyrë mafioze, si në mes të Tiranës ashtu edhe në akset rrugore, çka ka sjellë një rritje të pasigurisë në vend. Po ashtu, konstatojmë dështimin e policisë për parandalimin e këtyre ngjarjeve dhe një nivel të ulët zbulueshmërie.
Për këto arsye, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, bazuar në nenin 80 të Kushtetutës dhe nenin 96 të Rregullores së Kuvendit, kërkoj zhvillimin e një interpelance me Ministrin e Brendshëm, z. Ervin Hoxha, për të dhënë shpjegime dhe informacione lidhur me këto shqetësime.
Faleminderit për bashkëpunimin.
DEPUTETI
Asllan DOGJANI