Analisti, Lavdrim Lita në një intervistë televizive u shpreh se në rastin e vrasjes së 14 vjeçarit pak ditë më parë, siguria nga ministria e Arsimit ka dështuar.
Lita: Ngjarja është tragjike.
Institucionet kanë fshehur kokën në dhe.
Paketa e Sigurisë e trumbetuar dy vitet e fundit nga ministria e Punëve të Brendshme dhe ministria e Arsimit ka dështuar.
Projeksioni i rrezikut në shkolla është shumë i ulët.
Nxënës që qarkullojnë me thika dhe me armë të ftohta në shkollë, në çanta janë të zakonshme.
Aq më shumë kur ngjarja në fjalë e ndodhur në shkollën ‘’Fan Noli’’ kishte ditë që përvijohej sepse zënka nuk ndodhi në atë moment, por kishte disa ditë dhe zinxhiri i shkollës dhe i oficerëve të sigurisë dhe i patrullimit ka dështuar.
Perimetri i sigurisë i shkollës ka dështuar totalisht.
Mund të parandalohej nëse projeksioni i rrezikut nga personat përgjegjës do ishte shumë i lartë.
Projeksioni i rrezikut do të thotë që të imagjinosh se një ngjarje mund të ndodhë duke u nisur nga një element, nëse ke informacion se ka një zënkë, ajo zënkë mund të degjenerojë dhe oficeri i sigurisë duhet të lajmërojë mësuesin kujdestar, prindërit dhe policinë për të analizuar çështjen dhe për ta sqaruar.