Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka dorëzuar sot zyrtarisht detyrën.
Ai u shpreh në një letër të hapur se Policia e Shtetit nuk është sot një institucion i përsosur e pa probleme, por padyshim rritja e besimit të qytetarëve te uniformat blu, besimi i shtuar i komunitetit të agjencive ligjzbatuese, brenda e jashtë vendit, dhe treguesit e kriminalitetit e gjendjes së sigurisë në vend dëshmojnë se Organizata e Policisë duhet të ndihet krenare për rezultatet e saj.
Rrumbullaku theksoi më tej se ky moment shënon mbylljen e një cikli me “uniformën e shenjtë të policisë” për të.
Deklarata e plotë:
Të nderuar punonjëse dhe punonjës të Policisë së Shtetit,
Mbyllja e angazhimit në detyrën e lartë shtetërore të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është momenti më i mirë për t’ju drejtuar të gjithëve ju me një falënderim nga zemra për përpjekjet e përbashkëta dhe arritjet në këto dy vjet.
Jam i mbushur me obligimin për t’ju përshëndetur dhe falënderuar të gjithëve një nga një, për t’ju shtrënguar duart me përuljen më të madhe për sakrificën tuaj të vazhdueshme, çdo vit, çdo muaj të vitit, çdo ditë të muajit dhe çdo orë të ditës e natës. Vullneti dhe ndershmëria në përmbushjen e detyrës së punonjësve të policisë, që kam patur fatin ta jetoj bashkë me ju për mbi 3 dekada, ka prodhuar rend e siguri në Shqipëri. Sot vendi ynë regjistron treguesit e sigurisë më të mirë që ka patur ndonjëherë, falë një progresi të vazhdueshëm të Policisë së Shtetit dhe ndihmës e mbështetjes domethënëse nga Ministria e Brendshme e Qeveria, nga Partnerët Ndërkombëtarë e Agjencitë e Zbatimit të Ligjit dhe padyshim, falë bashkëpunimit të vyer me qytetarët.
Policia e Shtetit nuk është sot një institucion i përsosur e pa probleme, por padyshim rritja e besimit të qytetarëve te uniformat blu, besimi i shtuar i komunitetit të agjencive ligjzbatuese, brenda e jashtë vendit, dhe treguesit e kriminalitetit e gjendjes së sigurisë në vend dëshmojnë se Organizata e Policisë duhet të ndihet krenare për rezultatet e saj.
Ajo që arritëm së bashku, duke garantuar siguri, rend e goditje të kriminalitetit, teksa Shqipëria u kthye në një destinacion turistik të pamenduar e të paparashikuar më parë, është një trashëgimi e vlefshme, që jam i bindur se do të dini ta çoni më tutje të gjithë bashkë.
Procesi voluminoz dhe i munguar prej vitesh i konkurrimit për fitimin e gradave, i zbatuar në mënyrë të paanshme e transparente, sipas parimit të meritës e mosdiskriminimit, u krijoi punonjësve të Policisë së Shtetit shanse të barabarta për të qenë pjesë e proceseve garuese e përzgjedhëse, të normuara sipas ligjit të ri. Vizioni dhe kontributet për ligjin e ri të Policisë së Shtetit, ku konturohet një menaxhim modern e bashkëkohor i organizatës; akreditimi dhe standardizimi ndërkombëtar i arsimit të lartë policor; “toleranca zero” ndaj çdokujt në radhët tona që tradhton uniformën dhe bashkëpunon me krimin, kanë qenë gjatë këtyre 735 ditëve të shkuara prioritetet tona, që sot mund të themi se i kemi përmbushur të gjithë bashkë.
Të nderuar kolegë,
Lënia e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është për mua edhe momenti i mbylljes së një cikli me uniformën e shenjtë të punonjësit të policisë, për të cilën kanë dhënë jetën në krye e për shkak të detyrës 228 kolegë, bijë nënash, prindër, bashkëshortë, vëllezër, shokë e miq, të cilët nuk do të harrohen kurrë.
Gjaku i tyre dhe sakrificat që punonjësit e policisë bëjnë në çdo sekondë duhet të jenë një motor që prodhon energji të pashtershme për të gjithë, duke synuar parandalimin e goditjen e krimit dhe garantimin e rendit e sigurisë në vend. Pavarësisht çdo përballjeje duhet të jeni gjithmonë kryelartë nga kjo sakrificë. Me Flamurin Kombëtar dhe Flamurin e Policisë së Shtetit gjithnjë pranë meje, ju siguroj se do të jem mbështetësi juaj kryesor në çdo kohë dhe rrethanë. Duke i uruar suksese çdo punonjësi policie në punën e tij dhe organizatës së Policisë së Shtetit, më të mirën drejt përmbushjes së misionit ligjor, ju përshëndes përzemërsisht.
Me respekt,
Muhamet Rrumbullaku