Edhe ditën e sotme, banorët e Thumanës kanë dalë sërish në protestë, ku kërkojnë hyrje-dalje në autostradën Thumanë-Kashar.
Ata po protestojnë në autostradë, ndërsa janë përplasur me forcat e policisë, pas kanë tentuar të bllokojnë qarkullimin rrugor.
Ata kërkojë hyrje-dalje në këtë aks, pasi janë izoluar dhe i druhen frikës se bizneset e tyre do të falimentojnë.
Banorët kanë kallëzuar në SPAK, zv/kryeministren njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës Belinda Balluku.
Kujtojmë se dhe ditën e hënë (2 shtator) banorët protestuan në mënyrë paqësore para Kuvendit, duke parashtruar kërkesën e tyre dhe duke kërkuar një zgjidhje.
Klevis Balliu, ish-deputet i PD-së, tha se kërkesa e banorëve është e thjeshtë, ata duan që të zbatohet projekti fillestar, ndërsa hodhi akuza ndaj ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku, duke thënë se me urdhër të saj është vënë në funksion një projekt që nuk ekziston, me qëllim përfitimin e vlerave monetare.
“Mendoj që është gjëja më minimale t’i mbështesësh këta banorë. Koncensionari ka përfituar një projekt X dhe banorët kërkojnë zbatimin e tij. Koncensionari me urdhër të Ballukut po vë në funksion një projekt që nuk ekziston, sepse ai i pari i ka daljet. Banorët kërkojnë këtë dalje. Nëse bëhet dalja, mbyllet protesta. Dalja nuk bëhet për përfitime monetare. Pse nuk ka ndryshuar çmimi, por projekti?
Nuk bëhen investime në rrugë të tilla me pagesë, pa patur rrugë dytësore. Këtu nuk i jepet rasti për rrugë dytësore.
Banorët nuk janë kundër rrugës, duan projektin. Balluku e ka ndryshuar projektin që të fusë para në xhep. Balluku në vend që t’u përgjigjet qytetarëve, sjell policinë. Pse duhet të përplase policia me banorët që të fitojë lekë Balluku?”, tha Balliu.
Edhe deputetja e PD-së Andia Ulliri, tha se rruga është një projekt i ndryshuar. Ulliri theksoi se institucionet të reagojnë për të drejtën e banorëve për të pasur hyrje-dalje.
“Rruga është një projekt i ndryshuar. Këtu është gjaku i banorëve të Krujës. Deputetët nuk u ballafaquan me protestuesit nga Kruja, Fushë Kruja dhe Thumana. Ne kërkojmë të drejtën tonë, të kemi hyrje-dalje.
Projekti kishte dy nyje shkëmbimi, që nuk janë realizuar. Institucionet të reagojnë. Këtu jemi përballë disa shkeljeve ligjore. Ministria e Infrastrukturës dhe ARRSH nuk na kanë thënë se kush ka bllokuar hyrje-daljet”, tha Andia Ulliri.