Janë arrestuar në Gjermani dy të rinj shqiptarë të shpallur në kërkim nga autoritetet e drejtësisë së vendit tonë. Konkretisht në pranga janë vënë Fabio Ballabani alias Fabio Zyberaj dhe Erland Krasniqi.
Policia sqaron se në Fabio Ballabani alias Fabio Zyberaj, 37 vjeç, lindur në Vlorë, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg,” për veprat penale “Goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore,” e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i Strukturuar Kriminal,” dhe “Kryerja e veprave penale nga Grupi i strukturuar kriminal dhe Organizata kriminale.”
Ky shtetas dyshohet se në vitin 2019, ka kërcënuar me armë zjarri pistoletë bashkëshortin e një gjyqtareje të GJKKO e cila ishte pjesë e trupit gjykues në një gjyq që zhvillohej kundër një grupi të krimit të organizuar. Nga hetimet e kryera dhe këqyrja e kamerave të sigurisë, është identifikuar si autor i këtij sulmi shtetasi Ballabani.
Erland Krasniqi, 25 vjeç, lindur në Kavajë, i ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, në maj 2024, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg,” për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit.”
Erland Krasniqi, pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri shtetasin Renato Bajraktari.
Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Wiesbaden/Gjermani për ekstradimin e këtyre dy shtetasve drejt vendit tonë.