Gazetari Osman Stafa ka bërë një denoncim tjetër në rrjetet sociale për mungesën e kemioterapisë në Spitalin Onkologjik në Tiranë. Ai i bën thirrje ministrisë së Shëndetësisë që të sigurojë për pacientët me tumor këto ilaçe, pasi në të kundërt po bëhet shkak për vdekjen e tyre.
“Por sot mjekët e Onkologjikut, janë duke kërkuar për pacientët e tyre:
1. Irinotekanin – trajtohet kanceri i zorrës së trashë.
2. Carboplatine – trajtohet kanceri i avancuar i vezoreve .
3. Erlotinib – trajtohet kanceri i mushkërive dhe i gjirit.
Në mungëse të këtyre kimiove, onkologët janë të detyruar të shtyjnë trajtimin e pacientëve.
Protokolli e thotë qartë. Shtyrja e kimiove, pa arsye, sjell agravimin e sëmundjes, në një stad ku asnjë ilaç, s’mund të bëj më gjë. A quhet vrasje kjo? Mungesa e këtyre kimiove, agravon situatën e pacientit. Sjell fatalitetin e tij. A quhet krim?
Shefja e Onkologjikut, Silvana Çeliku, do dalë të flasë për realitetin? Është shefe e atij pavioni, do duhet të flasë për situatën! Është në nderin e saj, nëse ka! Një ditë do dalim para Zotit, dhe nëse s’kemi frikë njeri në këtë botë, të paktën të kenë frike atë.
I bëj edhe njëherë thirrje Ministres së Shëndetësisë, Albana Koçiu, të gjej sadopak njerëzoren tek vetja, dhe të siguroj me tenderim të drejtpërdrejtë kimiot. Është urgjente!!!
Situata është e tmerrshme! Është skandaloze. Është çmenduri. Mjekët sot po kërkojnë kimiot, por nuk ka. Pacientë të Onkologjikut, janë sot pa kimio, pa trajtim”, shkruan gazetari.