Nëse në disa studime të fundit, Suedia është renditur rregullisht në krye të listës si një prej vendeve më të lumtura në botë, kampione e sigurisë dhe e standardeve të jetesës së gjelbër, së fundi ka një element tjetër që e bën këtë vend më shumë se të jetueshëm dhe të sigurt.
Në një raport të fundit të “US News”, Suedia u vlerësua si vendi më i mirë në botë për cilësinë e jetës, përpara Norvegjisë dhe Kanadasë, të cilat u renditën në vend të dytë dhe të tretë.
Faqja e internetit mori në konsideratë faktorë të tillë si qëndrueshmëria ekonomike, siguria, cilësia e sistemit arsimor publik dhe kujdesi shëndetësor, ku Suedia u vlerësua me pikët maksimale. Pra, plot 100 pikë.
“Suedia operon sipas një modeli të ngjashëm me ato të kombeve të tjera nordike, pra shumë kapitaliste me një përqindje të madhe të shpenzimeve që shkojnë drejt shërbimit publik,” cilëson “US News”, duke shtuar faktin se suedezët përfitojnë nga kujdesi shëndetësor universal dhe arsimi i lartë.
Raporti thekson gjithashtu se suedezët janë ndër kombet më bujare në botë, duke dhuruar çdo vit rreth 1% të prodhimit të brendshëm bruto për programet e ndihmës humanitare.
Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), e cila publikon Indeksin e saj për një “Jetesë më të mirë”, duke krahasuar mirëqenien në të gjithë kombet, raportoi se Suedia aktualisht “e kalon mesataren në të ardhura, punë, arsim, shëndetësi, cilësi mjedisore, lidhje sociale, angazhim qytetar, siguri dhe kënaqësi”.
Në fillim të këtij viti, Bashkimi Europian shpalli rezultatet e një sondazhi që vlerësoi cilësinë e jetës në qytetet europiane, mes tyre edhe në kryeqytetin e Suedisë ku Stokholmi u rendit ndër 10 qytetet më të mira për lehtësinë e gjetjes së një pune, funksionimin e përsosur të transportit publik, ku gati 60% e qytetarëve e përdorin atë në orën të ndryshme të ditës.
Renditja e 10 vendeve me cilësinë më të mirë të jetës:
1 Suedi
2 Norvegji
3 Kanada
4 Danimarkë
5 Finlandë
6 Zvicër
7 Holandë
8 Australi
9 Gjermani
10 Zelandë e Re