Kryenin manovra të rrezikshme me Jet Ski, duke cenuar sigurinë e pushuesve në plazhet e Ksamilit dhe Shëngjinit, ndëshkohen me masa administrative 110000 dhe 100000 lekë, 2 drejtues të mjeteve ujore dhe iu bllokohen Jet Skitë.
Ndërkaq, po punohet për bllokimin e 2 mjeteve të tjera lundruese, me të cilat gjithashtu po kryheshin manorva të rrezikshme.
Njësia Policore Detare dhe shërbimet e Policisë Kufitare të Ksamilit dhe Shëngjinit, gjatë patrullimeve në vijën bregdetare, nisur nga njoftimet e patrullave policore që patrullojnë në tokë përgjatë vijës bregdetare, si dhe bazuar dhe në pamjet filmike të publikuara në rrjete sociale, për disa mjete lundruese që kryenin manovra të rrezikshme, kanë ndërhyrë menjëherë për të bërë bllokimin e tyre.
Si rezultat, në Shëngjin dhe në Ksamil u bllokuan 2 prej mjeteve lundruese Jet Ski dhe drejtuesit e tyre u ndëshkuan me masa administrative:
-110000 lekë, drejtuesin e një mjeti ujor në Ksamil, për lundrim jashtë zonës së përcaktuar dhe për mungesë të dokumentacionit;
-100000 lekë, drejtuesin e një mjeti ujor në Shëngjin, për lundrim jashtë zonës së përcaktuar.
Ndërkohë, vijon puna për gjetjen dhe bllokimin dhe të 2 mjeteve të tjera ujore, që shfaqen në këto pamje filmike, duke kryer manovra të rrezikshme.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve ujore, që të pajisin mjetet me dokumentacionin e kërkuar me ligj, si dhe të lundrojnë brenda zonës së përcaktuar për këtë aktivitet.
Gjithashtu, Policia e Shtetit fton qytetarët dhe median që të denoncojnë në njësitë fizike të Policisë dhe në numrin pa pagesë 112, çdo paligjshmëri që ata hasin.