Policia në Fier ka arrestuar një 29-vjeçar. Mësohet se i riu ka goditur automjetin e policisë.
Sipas njoftimit, efektivët gjatë kontrollit në makinë, i kanë gjetur 29-vjeçarit dhe një sasi droge. Ndërsa, dyshohet se i riu ka kryer veprimin, me qëllim për t’u hakmarrë, pas një veprimi policor ndaj një miku të tij.
“Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Komisariati i Policisë Fier arrestoi shtetasin:
-Sh. G., 29 vjeç, banues në fshatin Ndërmenas, për veprat penale “Kanosje për shkak të detyrës”, “Shkatërrimi i Pronës”, dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Ky shtetas ka dëmtuar automjetin e Policisë të Postës Kufitare Hoxharë, si dhe ka kanosur oficerin e Policisë që po drejtonte automjetin, pasi në Postën Kufitare Hoxharë nga Policia Kufitare ishte bërë bllokimi i një mjeti lundrues tip gomone në pronësi të shtetasit J. Xh., në të cilin ndodhej edhe shtetasi Sh. G.
Në momentin që ka dëmtuar mjetin e Policisë, ky shtetas qarkullonte me automjetin e tij dhe shërbimet e Policisë gjatë kontrollit i kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi të vogël lende të dyshuar narkotike, cannabis sativa”, njofton policia.