QSUNT, ka reaguar pas denoncimit të deputetet se Partisë Demokratike, Albana Vokshi, se në qendrën spitalore ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike e për pasojë kanë humbur jetën katër pacientë të cilët kanë qenë të intubuar.
Në një deklaratë për mediat, QSUNT ka mohuar diçka të tillë, duke sqaruar se në datë 5 Prill, në orën 1:30 të mëngjesit, punonjësit teknikë kanë konstatuar luhatje të energjisë elektrike pranë Shërbimit të Reanimacionit Qendror, por është bërë ndërhyrje e menjëhershme për rikthimin e furnizimit me energji elektrike dhe normalizimin e situatës.
“QSUNT sqaron opinionin publik se nuk ka asnjë të vërtetë sikurse është raportuar ditën e sotme për humbje jete të pacientëve dhe se shërbimi ndaj tyre nuk është cenuar në asnjë moment”, theksohet në reagim.
Reagimi i plotë
QSUNT shpreh keqardhje për deklaratat e pavërteta në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, të cilat afektojnë drejtpërdrejtë pacientët dhe shëndetin e tyre.
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, sa i takon deklaratave të bëra nga anëtarët e komisionit për ndërprerje të energjisë elektrike në një prej godinave të këtij spitali sqaron si më poshtë vijon:
Në datë 5 Prill, në orën 1:30 të mëngjesit, punonjësit teknikë të shërbimit 24 orësh kanë konstatuar luhatje të energjisë elektrike pranë Shërbimit të Reanimacionit Qendror. I menjëhershëm ka qenë reagimi i teknikëve shtesë të gatishmërisë të QSUT-së të cilët në bashkëpunim me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike i kanë dhënë zgjidhje kësaj problematike duke bërë të mundur rikthimin e furnizimit me energji elektrike dhe normalizimin e situatës.
QSUNT sqaron opinionin publik se nuk ka asnjë të vërtetë sikurse është raportuar ditën e sotme për humbje jete të pacientëve dhe se shërbimi ndaj tyre nuk është cenuar në asnjë moment.