Drejtuesi i “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori, duke komentuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV arrestimet e drejtorëve dhe të zyrtarëve të tjerë të bashkisë së Tiranës, fajësoi Erion Veliajn për vjedhjet e fondeve buxhetore. Ai tha se reforma në drejtësi do të jetë gallatë nëse nuk përfundojnë përpara drejtësisë Rama dhe Veliaj.
“Zyrtarët tanë janë barbarë si e bëjnë dhe si e fitojnë paranë. Po vidhemi disa herë. Këta zotërinjtë kanë fituar statusin e investitorit strategjik dhe kanë bërë fushatë elektorale.
Mund të rastisë një drejtor i korruptuar, por 10 njerëz janë fenomen. Këta nuk janë teknicienë, por figura politike dhe janë indiciet që z. Veliaj është i përfshirë dhe ne nuk e dimë nëse do të përfundojë përpara SPAK-ut. Reforma në drejtësi do të jetë gallatë nëse nuk përfundojnë para drejtësisë Edi Rama dhe Erion Veliaj.
Mënyra se si vidhet në Shqipëri është primitive, si feudalët e qëmotit. Me paratë e vjedhura ose i përdorin si për qejf dhe blejnë zgjedhjet dhe riprodhojnë veten e tyre në pushtet. Kemi një elitë politike të tejkaluar nga bota demokratike”-tha Qori.