Detaje janë zbardhur në lidhje me shpërthimin e tritolit një ditë më parë në Shkodër në banesën e Frida Sala dhe djalit të saj Dori Sala. Burime pranë prokurorisë së Shkodrës bëjnë me dije se një prej pistave kryesore ku është përqendruar organi i akuzës dhe policia vendore e Shkodrës lidhet me aktivitetin e djalit të 62-vjeçares. Mësohet se nga hetimet dyshohet se ngjarja është regjistruar nga përfshirja e Dori Sala në një kompani bastesh online.
Prokuroria dhe policia dyshojnë se Dori Sala është menaxheri i serverave të internetit të kompanisë së basteve. Pavarësisht kësaj piste hetimi personi në fjalë të cilit iu vendos tritol në derën e shtëpisë e ka mohuar një fakt të tillë duke thënë se puna e vetme është ajo në një kompani internet.
Po ashtu Dori Sala ka deklaruar se nuk ka asnjë konflikt dhe nuk e ka idenë se kush mund të jenë autorët.
“E vetmja punë që bëj është ajo në një kompani internet dhe nuk kam lidhje me asgjë tjetër. Nuk e di se kush mund të jenë autorët pasi nuk kam asnjë konflikt dhe nuk e di arsyen e kësaj ngjarje”, tha ai. Mendohet se ky sulm ndaj tij është një paralajmërim për të mos u marrë më me bastet online.