Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasi Muhamet Manollari, i akuzuar për financim të terrorizmit. Ky shtetas i ka dërguar babait të tij në Siri një shumë prej 864 euro në vitin 2013. Babai i tij dyshohet se ka ndërruar jetë në vitin 2019 në shtetin sirian.
Njoftimi:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka përfunduar hetimet dhe ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.255, të vitit 2021, në ngarkim të të pandehurit Muhamet Manollari, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Financimi i terrorizmit”, parashikuar nga neni 230/a i Kodit Penal.
Nga aktet hetimore ka rezultuar se i pandehuri Muhamet Manollari është djali i shtetasit Mehdi Manollari. Ky i fundit, në datën 05.05.2013 është larguar nga Shqipëria për në Siri, duke u bërë pjesë e organizatës “ISIS”, e listuar si organizatë terroriste nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës të Kombeve të Bashkuara. Shtetasi Mehdi Manollari është listuar sipas VKM-së nr.769, datë 02.11.2016, në listën kombëtare të personave të shpallur për financim të terrorizmit.