Katër të rinjtë që akuzohen për vrasjen e 15-vjeçarit Fatjon Bici në Gramsh, dalin sot para Gjykatës së Elbasanit. Autori kryesor i dyshuar për krimin është Orgito Çarçiu, i cili nëse shpallet fajtor rrezikon deri në 12 vite burg.
Gjithashtu pritet vendim për të arrestuarit e tjerë, përkatësisht për; Ergi Karaj, Stiven Murati,Xhonatan Çekrezi. Ngjarja e rëndë ndodhi më 16 maj të këtij viti në qytetin Gramshit. Të miturit akuzohen për veprat penale “Vrasje në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Si ndodhi ngjarja?
15-vjeçari Bici u vra me thikë pas një sherri me 4 bashkëmoshatarë. Ai ka qenë në shkollë atë ditë dhe pasi përfundoi mësimin pa kushëririn e tij 15-vjeçar Marko Bici që po konfliktohej me 4 bashkëmoshatarë dhe ndërhyri për ta mbrojtur. Mirëpo, si pasojë e goditjeve me thikë, humbi Bici, ndërsa kushëriri i tij mbeti i plagosur.
4 të rinjtë, pas arrestimit nga policia ditën e ngjarjes, në prani edhe të psikologut, rrëfyen se sherri me Marko Bicin kishte nisur rreth 2 muaj më parë, mirëpo vijoi edhe më tej në rrjetet sociale. Në dosjen e prokurorisë, citohen edhe mesazhe të shkëmbyera mes djemve në konflikt në platformën sociale snapchat ku i dërgonin njëri tjetrit thika dhe përforcues grushti e duke thënë se këto mjete do t’i përdornin ndaj njëri-tjetrit dhe për fat të keq kështu ndodhi duke përfunduar në një tragjedi.