Dy banesa në të njëjtën strehë u shkrumbuan totalisht pasi u përfshinë nga flakët pasditen e djeshme në fshatin Kukur të Gramshit.
Gjyshi i dy familjeve, Zaim Meci tregon se si nxorri mes flakëve mbesën 8 vjeçe, e cila sapo ishte kthyer nga shkolla.
“Isha me bagëti aty afër banesës kur pashë që në çatinë e shtëpisë dilnin shtëllunga tymi e flakë, shkova aty dhe pashë që njerëz me kova uji mundoheshin të fiknin flakët, pjestarët e familjes time që qanin e ulërinin ishte një tmerr.
Dikush më tha që është një fëmijë brenda, nuk kuptoheshin të qarat e mbesës brenda, jam lagur me ujë e me një lëkurë bagëtie u futa mes flakëve. Shkova tek dhoma ku mbesa qante e strukur nën një tavolinë buke, as vet se di sesi dola. Falenderoj Zotin që mbesa shpëtoi”, ka rrëfyer gjyshi hero.
Më tej, në rrëfimin tejet prekës të tij, gjyshi bën thirrje për ndihmë pasi kushtet në të cilat gjenden janë tejet të vështira për të mbijetuar. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se ka qenë një shkëndijë elektrike në çatinë e ndërtesës, e favorizuar nga era, gjë që ka bërë që për pak minuta të shkrumbohet gjithçka.