Deputeti i Partisë Socialiste, Lavdrim Krashi në një intervistë në “Tirana Live”, komentoi takimin dyditor të qeverisë. Takim që ka nisur sot në orët e para të mëngjesit dhe pritet të mbahet edhe nesër në Shëngjin.
Gjatë diskutimeve në studio, deputeti socialist u shpreh se është një takim rutinë, ku edhe do të shihen nëse janë përmbushur apo jo objektivat që ka partia.
“Kjo është një mbledhje normale rutinë edhe pse duket si risi pasi pak kohë ka që është e zhvilluar. Qeveria ka strategjinë e saj të zhvillimit për 4 vitet në vijim dhe çdo dikaster ka punët e saj. Dhe ky takim bëhet për të parë se si kanë shkuar gjëra, mësojnë edhe nga njëri-tjetri. Shihen se sa janë arritur objektivat. Ajo që është më e rëndësishme është edhe viti 2024 dhe punët që do të zhvillohen”, u shpreh ai.
Gjithashtu gjatë kësaj interviste, u ndal edhe tek ministria e re për Ekonominë, Kulturës dhe Inovacionin që do të drejtohet nga Blendi Gonxhe.
“Zoti Gonxhe është një person që ka bërë punë të shkëlqyera. Për gjithë këto vite që ka drejtuar Drejtorinë, ka qenë në nëj nivel shumë të suksesshëm”, ka thënë ai.
Deputeti socialist u ndal edhe tek situata politike, duke thënë se PS i ka gjithmonë motorët e ndezur dhe të përgatitur për punët që e presin.
“Kur vjen puna tek zgjedhjet ne motorët i kemi të ndezur gjithmonë. Zyrat në disa bashki të Shqipërisë ngjajnë më shumë me burgje. Është detyra e shërbëtorëve publikë, e bashkive që t’i shërbejnë qytetarëve. Sa i përket opozitës, nëse kërkojnë një qasje të re, por me metoda të vjetra atëherë thjesht po humbasin kohën. Ne jemi të gjithë shqiptarëve dhe secili duhet të bëjë detyrën. Unë shpresoj që opozita të gjejë forcën dhe t’i sjellë qytetarëve një alternativë”, tha ndër të tjera ai.