Sali Berisha në një bashkëbisedim me mediet ditën e sotme ka akuzuar kreun e qeverisë Edi Rama se kërkon ta arrestojë, njësoj si Vladimir Putin ka arrestuar liderin e opozitës Navalny.
Berisha: Por ai shkon më tej, kërkon të arrestojë kryetarin e partisë më të madhe politike opozitare. Vladimir Putin, këto kohë, ka zhdukur Navalnin edhe nga burgjet, nuk dihet ku është.
Pse? Se ka frikë se Navalni do regjistrohet si kandidat për president. Putin, Navalnin e ka frikë edhe në burg aty ku është. Edi Rama bëri të njëjtën gjë. Nuk lejoi në kundërshtim me ligjin, regjistrimin e emrit tim si kryetar koalicioni.
Berisha thotë se nuk ka asnjë dokument apo provë kundër tij dhe e cilëson procesin gjyqësor të paligjshëm.
Berisha: Ne jemi sot në këtë situatë kur ai në një zinxhir veprimesh antikushtetuese, ka vendosur që të arrestojë, të dënojë me arrestim Sali Berishën, pa asnjë fakt, pa asnjë dokument, pa asnjë provë për një proces që është më i ligjshmi që mund të bëhet. Në dosjen Partizani ka një moment: Jamarbër Malltezi, njëri nga qindra pronarë të territorit, ka marrë 410 metra tokë. Në këtë proces që ka zgjatur nga viti 1995 deri në vitin 2009, Sali Berisha nuk ka një firmë të vetme në procesin e njohjes dhe privatizimit të objekteve të klubit Partizani.
Nuk ka një punonjës që të paraqesë ankesën apo dëshminë më të vogël se Sali Berisha ka ndërhyrë në këtë proces.
Sipas tij, janë fshehur dokumentet zyrtare.
Berisha: Por ka diçka tjetër. Së pari, e gjithë dacibao e Edi Ramës dhe prokurorëve të tij është e ndërtuar mbi fshehjen e dokumenteve zyrtare. Është formuluar duke mos e pyetur asnjë herë Sali Berishën dhe as Jamarbër Malltezin, sepse dihej se shpjegimet e tyre do asgjësonin pretendimet e tyre.
Berisha thekson vse ka ndjekur me përpikmëri dhe ka kërkuar vetëm zbatimin e Kushtetutës dhe ligjit.
Berisha: Edi Rama, duke parë se me Kushtetutën dhe ligjin nuk mund të bënte asnjë veprim, sepse nuk kishte asnjë bazë, zgjodhi rrugën e dhunimit të Kushtetutës dhe ligjit.